Albin Kurti gjatë prezantimit të platformës në Mitrovicë - Foto: Facebook/albinkurti

Albin Kurti për aksionin në Veri: Tensionim i kontrolluar për t'i mbuluar skandalet e fajdeve

Aksionin e Policisë së Kosovës në Veri të vendit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur “tensionim i kontrolluar për t’i mbuluar skandalet politike”.

Kurti ka thënë se krerët e shtetit dhe kryetari i Kuvendit duan t’i mbulojnë skandalet e fajdeve të tyre e të fotografive të tyre për luftë përmes këtij aksioni.

“Këta që krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë e institucionalizuan duke e ushqyer përditë për dy dekada nga zyrat e tyre, duan ta luftojnë me aksione në terren një herë në vit. Krimi dhe kontrabanda në veri të vendit nuk ndodhën papritur – ato kanë vazhduar për aq sa ka vazhduar edhe zhvatja e hajnia në pjesën tjetër të vendit”, ka shkruar i pari i VV-së në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sigurisht që policia e ka mundësinë dhe aftësinë, drejtësia e ka detyrën dhe nevojën, kurse populli ynë e ka dëshirën dhe interesin për luftimin e krimit e të korrupsionit. Mirëpo, nuk mund të jemi të sigurt se për çka bëhet fjalë, kur në krye të një aksioni kundër krimit e korrupsionit ndodhet prokurori famëkeq Sylë Hoxha dhe presidenti aktual po ashtu famëkeq (me krahun e tij të djathtë, kryetarin e Kuvendit, dhe, krahun e tij të majtë, kryeministrin e vendit)”, ka shkruar tutje Kurti.

Sipas tij, ‘çerdhja’ e korrupsionit dhe krimit gjendet tek institucionet e Kosovës.

“Këta po shtiren se po e mbrojnë Kosovën teksa po e vjedhin atë dhe duan t’i mbulojnë skandalet e fajdeve të tyre në paqe e të fotografive të tyre për luftë. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, shtiret se do ta sulmojë Kosovën, gjersa synon ta përforcojë pushtetin e tij. Serbisë i konvenon ky regjim i korruptuar në Kosovë dhe nuk i konvenon konflikti me KFOR-in”, ka shkruar udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje.

https://kallxo.com/arrestime-plagosje-e-barrikada-nga-aksioni-i-sotem-i-policise-se-kosoves/