Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Albin Kurti Nuk e Do LDK-në në Opozitë

“Mbetja në opozitë e LDK-së dhe mosbashkëpunimi me LV-në, do të thotë thjesht se LDK-ja po heq dorë nga synimi për largimin e Klanit Pronto nga pushteti, e kjo dorëheqje nuk i duhet as vendit e as popullit”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Më tutje, Albin Kurti vlerëson se kur ndokush nga zyrtarët e lartë të LDK-së thotë se duan të jenë në opozitë, ata kësisoj vetëm sa inkurajojnë disa deputetë të koalicionit të saj (të cilëve ndoshta fort vështirë u qëndrohet në opozitë) që të shkojnë te PAN-i.

“Nuk mendoj se ky është qëllimi i tyre por e këtillë është pasoja. Njëkohësisht, nuk është korrekte që LDK ta konsiderojë veten po aq larg nga LV-ja sa nga PDK-ja, nëse beson atë që e thotë vetë, pra se shteti i Kosovës vazhdon të jetë shtet i kapur”, ka theksuar Kurti.

Albin Kurti i ka bërë thirrje koalicionit LDK-AKR-Alternativa që t’i kthehen përpjekjes për t’i dhënë fund Klanit Pronto. “Duket se edhe në elektoratin e LDK-së ka ndodhur një zgjim: vota e tyre e theksuar për kandidatët që janë shquar me qëndrime kundër Klanit Pronto e ka dhënë porosinë e qartë se si LDK-ja duhet të përcaktohet dhe ia ka vizatuar asaj rrugën që duhet ta ndjekë”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Kurti ka thënë se më 11 qershor qytetarët ua kanë dhënë edhe një shans për ta nxjerrë Kosovën nga kriza e për t’ia dhënë të mbarën Republikës.

Mbrëmë, ndërkaq, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e përsëriti se partia e tij nuk do të bëjë koalicion me PDK-në as me ndonjë koalicion ku bën pjesë PDK.

http://kallxo.com/insiston-mustafa-jo-koalicion-pdk-ne/