Foto: Prokuroria e Pejës

Aktakuzë për vjedhje të 33 mijë eurove nga Komuna e Pejës

Një pronar i kompanisë së pastrimit që ishte kontraktuar nga Komuna e Pejës, po akuzohet se ka përvetësuar mbi 33 mijë euro nga kjo komunë.

Departamenti i Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Pejës ka ngritur aktakuzë kundër K.S., për veprat penale “Mashtrimi“ dhe veprën penale “Veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” ndaj Komunës së Pejës.

Sipas aktakuzës, K.S.  është pronar i një operatori ekonomik, ishte kontraktuar nga Komuna e Pejës për mirëmbajtjen dhe pastrimin e objekteve të institucioneve arsimore, shëndetësore, administratës komunale dhe objekteve të kulturës.

Tutje në njoftimin e prokurorisë thuhet se i njëjti me anë të paraqitjes se fakteve të rreme, përmes faturës së panënshkruar nga zyrtarët përgjegjës komunal për përfundimin e obligimeve të muajit nëntor të vitit 2015, me datën 24 dhjetor të vitit 2015, përmes faturës së prezantuar në Zyrën e Thesarit në Prishtinë, ka arritur ta marrë pagesën në shumë prej 33,691 mijë eurove.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Pejës.