Njoftimi për ekspozitën konkuruese "Artistët e rinj" | Foto: Facebook
Agron Blakçori Merr Çmimin “Artistët e Rinj”
Çmimin “Artistët e Rinj” për të cilin në listë të ngushtë hynë pesë finalistë e fitoi Agron Blakçori.
Blakçori, së bashku me tre artistë tjerë dhe Grupin “Haveit” konkurruan për këtë çmim nëpërmjet një ekspozite me punimet e tyre të hapur në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Pjesë e projektit ishin 29 kandidatë, ndërsa pesë finalistët u përzgjodhën nga juria e përbërë prej Natacha Guilbeau-t nga ambasada franceze, artistit Leutrim Fishekxhiu dhe artistit boshnjak Ibro Hasanoviq.
Anëtarë të jurisë që përzgjodhi Agron Blakçorin fitues ishin: Sislej Xhafa, Adrian Paci dhe Maksut Vezgishi.
Anëtari i jurisë Sislej Xhafa, e arsyetoi pastaj vendimin për dhënien e çmimit Blakçorit.
“Arsyeja pse e kemi dhënë këtë çmim është për shkak të fuqisë së veprës , shpraztirës, hapësirës dhe të një angazhimi në aspektet e një mentaliteti që ekziston sot në Kosovë,” tha artisti Sislej Xhafa.
Artisti Xhafa më tutje inkurajoi vazhdimin e punës së artistëve pjesëmarrës të ekspozitës me fjalët se ata do të ishin të suksesshëm edhe sikur të krijonin në qytete metropolitane.
“Fuqia e artistëve sot jo vetëm për shkak që fundoset në Kosovë, por unë mendoj se kjo ekspozitë apo këta individë edhe me qenë në një qytet metropolitan janë gjithmonë prezentë, të jashtëzakonshëm, të dallueshëm,” tha Xhafa.
Po ashtu në ekspozitë u tha që Kosova ka artistë të talentuar që përmes artit e shprehin më së miri ambientin në të cilin jetojnë dhe krijojnë.
“Ekspozitat të cilat organizohen për artistat e rinj për neve janë kënaqësi e madhe sepse Kosova ka shumë artista të cilët më së miri e shprehin ambientin në të cilin jetojnë dhe krijojnë,” tha kuratori i ekspozitës Mehmet Behluli.
Emrat e finalistëve Bujar Sylejmani, Agron Blakçori, Jetullah Sylejmani, Grupi “Haveit” dhe Luan Bajraktari u bënë të ditur në muajin tetor nga Galeria Kombëtare e Kosovës.
Redaktoi: Bekim Muhaxheri