Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

AGK Kërkon nga Gjykata të Hapet për Rastin e Salih Mekajt

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) kërkon nga gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Shasivar Hoti, të rishikojë vendimin e tij për mbylljen për publikun dhe mediat të gjykimit në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, dhe të publikojë pa vonesë aktakuzën.

Kërkesa e AGK-së bazohet edhe në deklaratën publike të kryetarit të Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi, sipas së cilit, rishikimi i këtij vendimi do të ishte respektim i kërkesave të publikut.

“Mungesa e transparencës në drejtësi krijon hapësirë për spekulime dhe motivon sinjalizuesit e brendshëm të rrjedhin dokumente nga gjykata. Për më tepër, ky vendim ka inkurajuar të akuzuar të tjerë të kërkojnë mbyllje të seancave gjyqësore siç ndodhi në rastin “Stenta”. Kështu, Themelorja ka krijuar precedent për fshehjen nga publiku të veprimeve të dyshuara kriminale të zyrtarëve të lartë”, thuhet në një komunikatë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, parimi bazë në mbrojtjen e privatësisë dhe reputacionit është se ai duhet të mbrohet vetëm nëse personi në fjalë e meriton atë reputacion. Po ashtu, legjislacioni lejon publikimin e të dhënave personale kur është në pyetje interesi publik.

“Gjykatësi Shasivar Hoti fatkeqësisht fare nuk ka marrë në konsideratë këto parime prandaj edhe nuk e ka arsyetuar vendimin e tij”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

AGK është po ashtu thellësisht e zhgënjyer me prokuroren Drita Hajdari, e cila në vend se të kërkonte gjykim publik për të dëshmuar punën e prokurorisë është pajtuar me interesat e palës së akuzuar.

Seanca e ardhshme gjyqësore në këtë rast është planifikuar të mbahet të mërkuren më 30 nëntor.

Më 20 tetor 2016 gjykatësi Shasivar Hoti, me kërkesë të avokatit mbrojtës të të akuzuarës Vlora Gorani, mori vendim që të mbyllej gjykimi nën arsyetimin se publikimi i shkëmbimeve telefonike do të përbënte dëm të riparueshëm dhe cënim të jetës private dhe të dhënave personale.

AGK kishte kërkuar edhe më 21 tetor nga gjykatat që të mos ua mbyllnin dyert mediave për seancat që konsiderohen të rëndësishme për opinionin në Kosovë.

Reagimi i Asociacionit të Gazetarëv kishte ardhur një ditë pasi Gjykata e Prishtinës i përzuri mediat nga seanca gjyqësore pikërisht në rastin e Salih Mekajt.

http://kallxo.com/agk-gjykates-reagon-gjykates-per-rastin-e-salih-mekajt/

KALLXO.com kishte siguruar atë ditë aktvendimin me të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën që seancat ndaj ish-kryetarit të Apelit Salih Mekaj të mbahen të mbyllura.

http://kallxo.com/ekskluzive-aktvendimi-qe-mbylli-seancen-e-salih-mekajt/

Përndryshe, KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj. Raportimet për kët ërast mund t’i gjeni këtu.