AGK dënon sjelljen e udhëheqësit të “Ekonomia Online” ndaj kameramanit Meriton Dajakaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas njoftimit nga ish-shefi i kameramanëve të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Meriton Dajakaj se udhëheqësit e këtij mediumi i kanë mohuar atij të drejtën e shfrytëzimit të pauzës gjatë orarit të punës, me ç’rast, sipas tij, pronari i mediumit “Ekonomia Online”, e ka sharë dhe ka tentuar ta godasë atë.

Në reagim thuhet se Dajakaj, i ka thënë AGK-së se ngjarja ka ndodhur derisa ai në një ditë pune, javën që shkoi, kishte kërkuar që të dalë në pauzë mirëpo, sipas tij, një gjë e tillë i është mohuar nga ana e udhëheqësve të mediumit.

“Pas kësaj ai thotë që është detyruar ta braktisë punën dhe derisa po përshëndetej me kolegët e tij, pretendon se Osmani ka degraduar në fyerje ndaj tij dhe ka tentuar që të njëjtin ta godasë. Meriton Dajakaj ka njoftuar AGK-në se rastin e ka denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka kërkuar sqarime për rastin edhe nga udhëheqësi i mediumit “Ekonomia Online” dhe disa prej pretendimeve të Dajakajt, drejtuesi i kësaj media Faton Osmani i ka mohuar.

“Ai ka pranuar se tashmë Dajakaj nuk është më i angazhuar në mediumin e tij, që nga dita që vetë Osmani e ka quajtur “kritike”. Edhe vetë ai e pohon se gjithçka ka nisur rreth një dalje në pauzë.”, thuhet më tej.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim me këtë situatë, dhe ka kërkuar nga udhëheqësit e agjencisë “Ekonomia Online”, që të kenë sjellje me profesionale dhe korrekte me stafin e tyre të punës.

AGK gjithashtu i ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës dhe Policisë së Kosovës ta trajtojnë seriozisht këtë rast.