Ministri Abelard Tahiri - Foto: Ministria e Drejtësisë

Abelard Tahiri refuzon të raportojë për procesin e rekrutimit të noterëve të rinj

Ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri ishte paraparë të të raportojë para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit lidhur me procesin e rekrutimit të noterëve të rinj, administratën e sistemit të Drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës që lidhen me Ligjin e Pagave.

Por, përmes një postimit në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se sot nuk do të marrë pjesë në këtë komision.

“Për korrektësinë që duhet të karakterizojë sferën institucionale dhe përgjegjësitë e gjithsecilit prej nesh, dëshiroj të sqaroj se sot nuk do të marr pjesë në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, për arsyet që i kam shpjeguar Kryetares së Komisionit, deputetes Albulena Haxhiu në letrën që i kam dërguar ditën e premte”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka shkruar se agjenda e paraparë në këtë takim, nuk përkon me tema që lidhin përgjegjësitë e tyre institucionale.

“Agjenda e paraparë në këtë takim, nuk përkon me tema që lidhin përgjegjësite tona institucionale, dhe në rastin më të mirë, përkon me tema që tashmë janë adresuar. Si e tillë, pikat për të cilat jam ftuar të raportoj, në mesin e tyre, provimi i Noterisë që ende s’ka përfunduar, përbëjnë një mundësi që çështjet e menaxhimit profesional, të bazuara në ligj dhe të pavarura nga politika, t’i shërbejnë akterëve politik për politizimin e tyre, gjë të cilës unë si Ministër i Drejtësisë, nuk do t’i kontribuoj”, ka shkruar Tahri.

“Siç kam theksuar në letër, e ritheksoj edhe tani, se jam i gatshëm të raportoj në çdo kohë, në secilin hark kohor që Komisioni më fton për përgjegjësitë e mia institucionale si Ministër. Por kurrsesi për politizimin e proceseve tërësisht profesionale dhe të bazuara në zbatimin e ligjit”, ka përfunduar Tahiri.

Gjatë kësaj mbledhje ky komision poashtu do të diskutoj edhe lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Kuvendi.

Komisioni gjithashtu shqyrton propozim vendimit të Qeverisë me kandidatët për Zëvendësdrejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrton raportet e Komisioneve Kryesore për Projektligjin për Hetim Parlamentar, raportin për Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, etj.

KALLXO.com ka raportuar për dyshimet për konflikt interesi në rastin e konkursit për Noterë.

Dyshime të forta për keqpërdorime në testin e noterisë

https://kallxo.com/konkursi-per-notere-hetohet-per-konflikt-interesi/

.