AAK-ja e Nisma Presin Protestë Masive

Dy partitë opozitare kanë bërë përgatitjet e fundit para protestës së nesërme e cila do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” me fillim prej orës 14:00.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj siguroi se kjo protestë do tëjetë më e madhe sesa ato që zhvilloi mçë herët gjatë vitit dhe vitin e kaluar opozita e bashkuar.

“Protesta e nesërme do të jetë ma e madhe sesa ndonjëherë tjetër në Kosovë,” deklaroi i pari i AAK-së.

Ndërsa kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj u bëri thirrje të pakënaqurve që nesër të protestojnë paqësisht.

“U bëj thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që janë dhe vazhdojnë të jenë të pakënaqur me qeverisjen aktuale, me këtë regjim antikushtetues, ata që vazhdimisht e kanë mbështetë kauzën tonë në kundërshtim të dy marrëveshjeve që edhe nesër së bashku në mënyrë paqësore të vijmë e të protestojmë në këtë shesh,” tha Limaj në konferencën e thirrur një ditë para protestës.

Gjatë ditës, përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës janë takuar edhe me Policinë e Kosovës, të cilën e kanë siguruar se aktiviteti i nesërm do të jetë paqësor.

Dy partitë opozitare kanë kërkuar prej Policisë së Kosovës që të mos i ndalë autobusët me protestues që do të marrin rrugën për në Prishtinë.

Kjo është protesta e parë e ndarë, prej të gjitha atyre të cilat i organizuan tri partitë opozitare gjatë rezistencës gati 7 mujore kundër marrëveshjeve të Asociacionit të Komunave Serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi, të nënshkruara me 25 dhe 26 gusht të vitit të kaluar.

Një protestë e tillë ishte paraparë të mbahej me 26 mars, mirëpo për shkak të mospajtimeve brenda bllokut opozitar, u anulua një ditë para kësaj date.

Lëvizja “Vetëvendosje” ka kohë që e ka përjashtuar pjesëmarrjen në protestën e nesërme.