‘7 Arte’ nis projektin për Trashëgiminë Kulturore të Mitrovicë

Me nismën e  organizatës kulturore mitrovicase “7 Arte”  ka filluar të implementohet projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë”.

Përmes një njoftimi “7 Arte” bën të ditur se ky projekt synon të zhvillojë një analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e cila do të shërbejë si bazë për draftimin e Planit Komunal për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.

Projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë” do të mundësoj përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në Mitrovicë të jenë pjesë e proceseve politikë-bërëse, dhe në të njëjtën kohë do të promovojë transparencën e institucioneve lokale me fokus në kulturë.

Sipas “7 Arte” të dhënat e dala nga projekti do të publikohen dhe do të dërgohen tek Komuna e Mitrovicës dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.

Qëllimi i këtij projekti është të kontribuojë në arritjen e objektivit të katërt të Strategjisë për Kulturë dhe Turizëm 2018 – 2022 në Komunën e Mitrovicës, përkatësisht promovimin e diversitetit kulturor, respektimin dhe mbrojtjen e shprehjes kulturore dhe trashëgimisë kulturore”.

Projekti është financuar nga BE-ja, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga IKS, Lens dhe FES.