Armë, municione e dokumente të sekuestruara sot nga Policia - Foto: PK

4 të Arrestuar Pas Hetimit Disamujor

Policia e Kosovës ka arrestuar sot 4 persona gjatë një operacioni në rajonin e Prishtinës. Të ndaluarit pas intervistës janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuar janë në kërkim.

Operacioni i bastisjeve dhe arrestimeve është kryer në tri lokacioni të ndryshme.

Policia e ka ndërmarrë këtë aksion pas hetimeve disamujore, lidhur me rastet që kanë të bëjnë me veprat penale “kontrabandim me migrantë”, “mbajtje në pronësi të paautorizuar e armës”, si dhe “falsifikim i dokumenteve”.

Në lidhje me këto vepra janë hetuar 8 persona, pesë prej të cilëve janë të njohur për organet e drejtësisë si persona me të kaluar kriminale.

Të dyshuarit janë: I.M., S.M., S.M., E.M., B.B. nga Podujeva, G.B. dhe S.RR. nga Peja si dhe L.Sh. nga Prishtina.

Ata dyshohet se kanë organizuar dhe kontrabanduar qytetarë nga Kosova për në shtete të ndryshme të BE-së.

Të dyshuarit në këmbim të kësaj veprimtarie dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm sasi të mëdha të të hollave.

Gjatë bastisjeve të sotme, Policia ka gjetur sekuestruar: një armë e tipit AK47, 54 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një pushkë gjuetie, pajisje të ndryshme për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, pasaporta, lejeqëndrime, patentë shoferë, libreza të qarkullimit të veturave, diploma të ndryshme bllanko.