3 Milionë Dollarë Material Mjekësor për Spitalet e Kosovës

Spitaleve publike të Kosovës do t’u shpërndahet përmes Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) një donacion me pajisje dhe material shpenzues mjekësor, donacion nga populli i SHBA-së.

Shtatë kontejnerët me këto pajisje mjekësore i janë dorëzuar sot SHSKUK-së nga OJQ-ja ”Islamic Relief” në Kosovë.

Ky donacion nga populli i Shteteve të Bashkuara është siguruar nga OJQ “Globus Relief” nga SHBA.

Vlera e donacionit llogaritet në mbi 3 milionë euro.

Në ceremoninë e dorëzim-pranimit të furnizimeve mjekësore, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se e mirëpret këtë donacion për shkak se, sipas tij, nevojat e shëndetësisë nuk mund të përmbushen me buxhetin e Kosovës.

“Shëndetësia në Kosovë në përgjithësi ka nevoja të shumta dhe nevojat reale të Ministrisë së Shëndetësisë në përgjithësi për barna dhe material shpenzues janë mbi mundësitë që ka Kosova të ndajë buxhet, prandaj bashkëpunimi me partner si ‘Globus Relief’, është më se i mirëseardhur në këtë kohë”, tha ministri.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj u zotua se do të bëhet gjithçka që të mos lejohen keqpërdorime me donacionin. Ai shfaqi shpresën se materiali i dhuruar do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve në QKUK.

Ndërkaq, Ramadan Berisha nga ‘Islamic Relief’ tha se donacioni u dedikohet fillimisht pacientëve për t’u përmirësuar shërbimi ndaj tyre.

“Ky donacion u dedikohet pacientëve të shërbimit spitalor të Republikës së Kosovës dhe duke dorëzuar këtë donacion ne i urojmë shërim sa më të shpejtë të gjithë pacientëve që gjenden nëpër këto spitale”, uroi Berisha

Donacioni është vendosur në barnatoren qendrore të QKUK-së, ku po regjistrohet për t’u bërë pastaj shpërndarja, ndërsa për të monitoruar këtë proces ministri Rrahmani tha se janë të ftuar të gjithë të interesuarit.