Jepet Fjala Hyrëse në Gjykimin për Terrorizëm

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

Në seancën e sotme është lexuar aktakuza për Musli Hysenin i cili nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohet.

I akuzuari Musli Hyseni akuzohet për armëmbajtje pa leje, moslajmërim të përgatitjes së veprave penale dhe moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre.

Seanca gjyqësore vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga prokurori që tha se në shqyrtimin gjyqësor do të paraqesë prova që do  të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve.

Avokatët mbrojtës  në fjalët hyrëse thanë se nuk ka prova që të mbrojturit e tyre të shpallen fajtorë për veprat terroriste. Edhe të akuzuarit i mbështetën fjalët hyrëse të avokatëve nga të cilët mbrohen.

Pas seancës gjyqësore për KALLXO.com avokati Sevdali Zejnullahu tregoi strategjinë e tij të mbrojtjes.

“Duke qenë se fjala hyrëse e ka kuptimin orientues në të ardhmen, ne si mbrojtje jemi mbështetur në ato prova të prokurorisë të cilat për neve si mbrojtje nuk kanë mbështetje ligjore dhe ne si mbrojtje e kemi vënë në dijeni gjykatën se nuk do të vërtetohen në asnjë mënyrë pretendimet e prokurorisë se të akuzuarit kanë të bëjnë me veprën e terrorizmit,” tha Zejnullahu.

Pjesë e kësaj aktakuze ka qenë edhe Bekim Mulolli por ndaj tij është veçuar procedura penale në një nga seancat e kaluara.

Por një i afërm i tij, muajin e kaluar ka pranuar për KALLXO.com se Bekim Mulolli është vrarë duke luftuar krah ISIS-it në Siri.

http://kallxo.com/mungon-i-akuzuari-ne-gjykimin-per-terrorizem/

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-terrorizem-pranojne-akuzat-per-armembajtje-pa-leje/