Kryeministri Haradinaj nderon britanikët e rënë në 100 vjetëshin e fundit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur kurorë me lule në Memorialin e Dëshmorëve Britanikë në Prishtinë, në nderim të të gjithë britanikëve të rënë në luftërat e 100 vjetëshit të fundit.

Në Francë po shënohet ceremonia e përkujtimit të 100 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes për t’i dhënë fund Luftës së Parë Botërore e cila la dhjetëra miliona njerëz, luftëtarë e civilë, të vrarë.

“Britania e Madhe dhe Commonwealth-i, sot shënojnë Aktin e Përkujtimit Njëqindvjeçar për të gjithë të rënët e tyre në të gjitha luftërat, që nga Lufta e Parë Botërore. Në kujtim të heroizmit të këtyre luftëtarëve përgjatë një shekulli, sot vendosa kurorë lulesh pranë Memorialit të Deshmorëve Britanikë në sheshin “Edith Durham” në kryeqytet”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

“Përkulemi me nderim para sakrificës të të gjithë të rënëve britanikë, veçanërisht atyre që kanë rënë në Kosovë”, ka shuar kryeministri.