10 Studentë të Prishtinës Shkojnë në Harvard

Ministri i Arsimit Arsim Bajrami gjatë këtij aktiviteti tha ne do të vazhdojmë t’i përkrahim studentët dhe se fondet e ministrisë do të fokusohen pikërisht tek ta.

“Ministria e Arsimit i mbështet studentët dhe ne kemi marrë një vendim që fondet që i ka ministria t’i investojë apo t’i orientojë më së shumti nga studentët që ata ta përfaqësojnë në mënyrë të denjë Kosovën, mirëpo edhe pas mbarimit të studimeve të bëhen pjesë e stafit akademik dhe pjesë e lidershipit të vendit,” tha Bajrami.

Ndërkaq profesori Luz Balaj tha se Ministria e Arsimit e ka mbështetur vazhdimisht ekipin e universitetit dhe se presin që këta studentë të kthehen nga Shtetet e Bashkuara  me ndonjë çmim.

“Të mbështetur nga Ministria Arsimit, Ambasada e Amerikës, Zyra e Kryeministrit dhe Universiteti i Prishtinës kemi arritur që një ekip prej 10 studentëve ta nisim për pjesëmarrje në konferencën e punës në Kombet e Bashkuara në Universitetin e Harvardit,” tha Balaj.

Studentët do të qëndrojnë në Washington DC dhe Boston për 12 ditë, ndërsa në konferencën e simulimit do të përfaqësojnë shtetin e Maltës.

Qëndresa Hyseni studente e Universitetit të Prishtinës tha se vizita e tyre do të jetë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të trajtuar politikat ndërkombëtare.

“Është një lloj simulimi i OKB-së, ne do të jemi në kuadër të asamblesë së përgjithshme dhe do bëjmë një lloj simulimi duke trajtuar politikat ndërkombëtare të cilat bëhen në kuadër të OKB-së,” u shpreh ajo.

Leotrim Ahmeti, student në Fakultetin Ekonomik tha se shpresojnë që do të bëjnë një përfaqësim të denjë për Kosovën.

“Që nga fundi i shtatorit kemi pasur trajnime të vazhdueshme, çdo javë kemi pasur nga dy trajnime, kurse nga janari çdo tri javë, kurse në fillim të shkurtit kemi pasur trajnime çdo ditë,” tha Ahmeti.

Malta është bërë shteti i 21-të i Bashkimit Evropian që ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.