10 Milionë Euro Për më Shumë Ngrohje Qendrore në Prishtinë

Është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes Financiare të grantit për projektin “Programi i sektorit të energjisë, faza VIII dhe IX – Përmirësimi i ngrohtores së qytetit në Prishtinë”, në vlerë prej 10 milionë euro, ndërmjet Qeverisë së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, e përfaqësuar nga  Banka Zhvillimore Gjermane (KfW).

Marrëveshja është nënshkruar nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, Shefi i divizionit për energji për Evropën Juglindore dhe Turqinë në zyrën qendrore të KfW-së, Juergen Kern, projekt menaxheri përgjegjës për projektet e KfW-së në sektorin e energjisë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, Nico Schuetzhofer si  dhe Kryeshefi  ekzekutiv i NP “Termokos”, Naser Canolli.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes Ministri i Financave, Bedri Hamza theksoi se ky është një projekt në mesin e më të mirëve në Kosovë.

“Është një ndihmë financiare pa kthim, projekti 10 milion euro, të mirat e të cilit i prekim e i ndjejmë në Prishtinë. Nuk është e largët koha kur në spitalet e Prishtinës janë përballë me atë se a do të ketë apo jo ngrohje. Jam i sigurt që këto para do të shfrytëzohen për mirë, deri tash nga ky projekt kanë përfituar 70 mijë qytetarë të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Në këtë ceremoni morri pjesë edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili u shpreh se sa herë që Kosova dhe Gjermania janë bashkë kanë rezultate të mira, qoftë të martën në ndeshjen e futbollit ku dolën barazim, qoftë sot për projektin.

“Kjo është një vazhdimësi e punës së KfW-së dhe institucioneve të Kosovës për projektin e Termokosit. Koha e mirë po fillon dhe duhet të fillojmë me punën menjëherë”, përfundoi Heldt.

Kurse përfaqësuesi i Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW), Nico Schuetzhofer kujtoi se angazhimi i tyre për ngrohjen qendrore ka filluar në vitin 2011 dhe se edhe në atë kohë marrëveshja financiare është nënshkruar nga ministri Bedri Hamza.

“Ndoshta e mbani në mend tymin e zi që dilte nga tymtarët e Termokosit por që nuk jeni duke e parë më. Kemi ngrohje për 24 orë gjatë gjithë kohës së ftohtë, kemi konsumatorët e kënaqur në 94 për qind të rasteve. Ajo që është me rëndësi është që subvencionet nga 3.5 milion euro janë reduktuar në 0”, ka potencuar Nico Schuetzhofer.

Përfaqësuesi i KfW-së theksoi se është i bindur që implementimi do të filloj sigurt dhe se ndikimi i këtij projekti do të jetë i dukshëm në një të ardhme shumë të afërt.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli i cili tregoi edhe për kontributin e komunës në këtë projekt.

“Si bashkëpunëtor kemi kontribuar me 20 për qind, pra jemi kontribues për një jetë më të mirë për qytetarët e Prishtinës”, tha Pacolli.

Kurse Kryeshefi  ekzekutiv i NP “Termokos”, Naser Canolli njoftoi se shumë shpejtë brenda këtij viti do të filloj zgjerimi dhe rehabilitimi i rrjetit të ngrohjes qendrore.

Sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë është ndërtuar në vitet e 70-ta dhe fillimisht ka ofruar ngrohje më mazut. Në nëntor të vitit 2014, sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë është kyçur në termocentralin Kosova B, i cili ishte shndërruar në termocentral me kogjenerim.

Kështu, në vend të djegies së mazutit që shkakton emetime të larta, avulli i termocentralit shfrytëzohet për ngrohje. Projekti është financuar përmes një projekti të disa donatorëve përmes KfW-së e Termokosit me një shumë prej rreth 37 milion EUR.

Konkretisht, kontributet e donatorëve ishin si në vijim: Bashkimi Evropian (14,0 milion EUR grant), Gjermania (10 milion EUR grant, 5 milion EUR kredi), Suedia (1,8 milion EUR grant), Luksemburgu (1,5 milion EUR grant) dhe Kosova (5 milion EUR kontribute të Komunës së Prishtinës dhe qeverisë së Kosovës).

Termokosi ka ofruar ngrohje bazuar në sistemin e kogjenerimit për mëse 63.000 konsumatorë për tri sezoni deri tani.

Ndikimi në kushtet jetësore dhe mjedis është qenësor: Shërbim me ngrohje 24/7 për gjithë sezonin e ngrohjes në krahasim me shërbimin në të kaluarën prej maks. 6 orë/ditë për vetëm tre muaj në dimër, gjenerim mbi 660 GWh për tri vite, ulje të emetimeve me CO2 prej mbi 90.000 ton në vit, ngritje të faturimit për 178% dhe inkasimit për 415%, reduktim të humbjeve të ngrohjes e ujit dhe më shumë.

Kapaciteti aktual i sistemit te kogjenerimit është 140 MW, kapacitet ky që mund të nxirret nga vetëm një apo të dy turbina të TC Kosova B. Gjatë sezonës së fundit të ngrohjes, ngarkesa maksimale nuk ka kaluar 85 MË. Kjo pasqyron më së miri mundësinë për të ngritur edhe më shumë ndikimin e projektit përmes zgjerimit të rrjetit. Kështu shumëfishohet shfrytëzimi i investimeve të realizuara në kogjenerim dhe arrihen vlera më të favorshme kosto-fitim.

Kyçjet e reja në rrjet do të realizohen në përputhje me Masterplanin e ri të ngrohjes qendrore, i cili është hartuar në vitin 2017 dhe përbën një bazë të strukturuar mirë për të gjitha investimet e ardhshme në sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.