Ilustrim

Privimi i punëtorëve nga pushimet

“A mundesh me ja fillu nesër punës? Mirë është kanë më ja nis menjëherë, se kemi nevojë” – ishte përgjigj një nga menaxheret e një marketi në kryeqytet kur është pyetur nëse kanë konkurs të hapur.

Në një bisedë për mundësi punësimi në vendin ku menaxhon, ajo thotë kanë nevojë për një punëtorë sa më shpejt teksa në një intervistë jo aq të zakonshme jashtë zyrës shpalos kushtet e punës.

“Pushimi është një ditë në javë, mundemi mu koordinu kur të ju konvenon”, tha B.B emër i njohur për redaksinë.

Biseda vazhdoi tutje. E kësaj radhe pasoj me një pyetje për pushimin vjetor, a janë 20 ditë pushim, dy javë verës e dy dimrit?, ishte pyetja.

“Jo, nuk janë. Janë dhjetë ditë në krejt vitin”- tregon ajo.

Biseda përfundoj kur tregoi që rroga është rreth 300 euro, e kontrata shihet gjatë rrugës nësë do bëhet.

Me kushte të tilla ka punuar tre muaj gjatë verës R.B. 

“Një ditë e kom pas pushim, kontratë skom pas. Ka pas raste që kena punu deri në dhjetë orë në ditë po nuk jena pagu për orë shtesë. E nëse kena mungu naj ditë, na kanë ndal paret. Ma shumë se tre muj nuk kom mujt me vazhdu ma shumë. Shpesh i ndërrojnë punëtorët aty. S’rrin punëtorët, vec zori”- ka thënë në kushte anonimiteti ky personazh. 

Gjashtë ditët e javës në këtë stinë vjeshte i kalon në punë edhe M.M, i moshës rreth 30 vjeçare (emër i njohur për  redaksinë). Për punën që bën paguhet 330 euro.

Për dallim nga dy punëtorët e parë, i intervistuari i tretë punon në një market që e respekton ligjin e punës kur është fjala për pushimin vjetor.

“Një ditë pushoj gjatë javës, e po në vit i kom 20 ditë pushim”, ka thënë punonjësi i një marketi në Prishtinë.

Neni 31 i ligjit të Punës thotë se i punësuari ka të drejtë në pushim javor në kohëzgjatje prej së paku njëzetekatër (24) orë pandërperë. Po ashtu  i punësuari nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç ka të drejtë në pushim javor në kohëzgjatje prej së paku tridhjetegjashtë (36) orë pandërprerë. E nëse të punësuarit i duhet të punojë në ditën e pushimit javor, atij duhet t’i sigurohet një ditë pushimi gjatë javës së ardhshme.

Në po të njëjtin ligj, nenin 56 e cek që për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës. 

Në bazë të ligjit të punës, të punësuarit për orët e kujdestarisë i takon 20% paga shtesë në përqindje të pagës bazë. Kurse për punën gjatë natës dhe jashtë orarit, të punësuarit i takon 30% mbi pagën bazë. 

Ligji thotë që për punën që bëhet gjatë ditëve të festave dhe gjatë fundjavës, punëtorët duhet të paguhen 50% mbi normën e pagës bazë. 

Ligji thotë se pagesa shtesë për punë gjatë fundjavës, festave dhe ditëve të lira sipas ligjit e përjashtojnë njëra-tjetrën. 

“I punësuari mund të kërkojë nga punëdhënësi që në vend të pagës shtesë kompensimi t’i bëhet me ditë pushimi; Punëdhënësi mund të vendosë që një pjesë të punës jashtë orarit të kompensohet me ditë pushimi, në përputhje me përqindjet e parapara në paragrafin 2. të këtij neni”- thuhet në Ligjin e Punës.

Në pikën vijuese të këtij ligji thuhet se i punësuari gjatë çdo viti kalendarik ka të drejtë për pushim vjetor të paguar në një kohëzgjatje prej së paku katër (4) javë, pavarësisht a punon me orar të plotë apo të shkurtuar.

Ndërsa, çdo pesë (5) vite të përvojës së punës, shtohet një ditë pune pushimi vjetor. 

Inspektorati i Punës nuk ka dhënë sa i përket ankesave të punëtorëve sa i përket shkeljet se të drejtave të tyre për pushimin.

Ata kanë thënë se kanë trajtu raste të tilla, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara ju njoftojmë se në Inspektoratin e Punës, kemi pranuar ankesa nga  të punësuarit me pretendimin se i janë cenuar të drejtat  nga marrëdhënia e punës e në veçanti tek cenimi i të drejtës në shfrytëzimin e pushimit vjetor si dhe ati javor. Të gjitha këto ankesa janë shqyrtuar dhe aty ku kemi konstatuar se kemi cenim të dispozitave janë ndërmarr edhe masa ndëshkuese ndaj subjekteve”- thuhet në përgjigjen e përgjithësuar të Inspektoratit në disa pyetje konkrete.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë që nga përvoja e trajtimit të kërkesave të tilla gjendja e punëtorëve të cilët punojnë në markete është më e cenuara.

“Nuk kemi asnjë shenjë që pronarët e kompanive por edhe shtetit po punon për një gjendje më të mirë të punëtorëve. Me ligj lejohet që të punojnë gjatë vikendit, të shtunave dhe të dielave. Por nësë punojnë ditëve të vikendit duhet të paguhen më shumë por këtë nuk janë duke e zbatuar dhe është normale që një pjesë e madhe e kësaj situate është në markete dhë në ndërtimtari”, ka thënë Azemi.

Ai thotë se punëtorëve në të shumtën e rasve nuk po ju paguhen shtesat për punën gjatë vikendeve dhe gjatë natës. Por, shumë prej tyre, sipas tij, nuk e gëzojnë të drejtën e pushimit vjetorë prej 4 javëve.

“Në pjesën dërmuese të punëtorëve të marketeve dhe gastronomi, në marketet dhe hipermarketet nuk ka punëtorë që i japim më shumë se dhjetë ditë pushim dhe çka është ma e keqja pronarët e kompanive i detyrojnë që ti nënshkruajnë një muaj në pushim dhe gjoja që i është paguar paga për këtë muaj ka qenë në pushim”- thotë Azemi.

Ai thotë se shkeljet e të drejtave të punëtorëve po vijnë edhe për shkak të mungesës së inspektimeve, që kryesisht janë të paktë në mungesë të inspektorëve.

“Përkundër inspektimeve në terren nuk kemi rezultatin ma të vogël, pasi janë dhjetë ligjet që Inspektorati duhet me i inspektu në raportin punëdhënës-punëmarrës dhe me 28  punëtorë, herë aktiv e herë numër më të vogël, nuk ka mundësi me i mbikëqyr gjitha bizneset private”, ka thënë tutje Azemi.

Në Institucionin e Avokatit të Popullit trajtohen ankesat të cilat nuk shqyrtohen në afate kohore nga Inspektorati.

“Por, në raste kur ankesat nuk shqyrtohen në afate kohore nga Inspektorati,  IAP  i ka trajtuar/hetuar këto ankesa për shkak të zvarritjeve nëvendosjen e tyre, përkatësisht  cenimit te drejtës kushtetuese “E Drejta për Mjete Juridike” neni 32  kushtetues”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit për komunikim dhe qasje në dokumente publike në këtë institucion, Petrit Çollakut.

Kurse në një raport të Institutit Demokratik të Kosovës sipas vëzhgimeve në terren shkelja e të drejtës për pushim është me shifra të theksuara.

Aty thuhet se pas raportimeve kanë arritur që për 60 raste të ankesave të hapin raste në gjykatë dhe t’iu ofrohet ndihma juridike falas. 

“Rastet e tyre flasin për konkurse të manipuluara, për procedura gjyqësore të pa përfunduara, për ndërrim të vendit të punës kur janë treguar kritik ndaj menaxhmentit, për punë 24 orëshe pa ndërprerë me vazhdim të punës 12 orëshe në ditën e nesërme, mos pagesë të kontributeve penisonale nga punëdhënësi, mos pagesë të pagave deri në 8 muaj, privim nga pushimi vjetor dhe ai mjekësor, mos dhënie e pushimit ditor, mos dhënie e pushimit javor, mospagesë për punën jashtë orarit të rregullt, zvogëlim të pagës pa paralajmërim, dhënie të pagës nën nivelin e pagës minimale etj.”, thuhet në raportin e KDI-së.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC dhe BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian