Kërkohën më shumë masa për mbrojtjen e shëndetit të stafit mjekësor

Punëtorët shëndetësorë të tetë (8) prej klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ballafaqohen me rrezikshmëri të lartë gjatë kryerjes së detyrave dhe punëve të përditëshme. Kjo për shkak të aparaturave që iu ekspozohen dhe specifikave të punës, të cilat në termat shkencorë konsiderohen si mjete me rrezikshmëri të lartë për shëndetin.

Punëtorët që punojnë në Klinikën e Onkologjisë, Radiologjisë, Anesteziologjisë, Mjekimi intensiv, Klinika Infektive, Kirurgjia, Njësia Nukleare dhe ajo e Patologjisë konsiderohen që bëjnë një punë me rrezikshmëri të lartë dhe kërkohet mbrojtje e veçantë. 

Deri në dy vitet e fundit, në këto klinika është punuar pa u bërë një vlerësim real për rrezikshmërinë në punë dhe veprimet obligative që duhet të ndërmerren ndaj stafit mjekësor dhe vetë pacientëve që kërkojnë shërimin në këto klinika.

Një nga onkologët e Klinikës së Onkologjisë në kushte anonimiteti është deklaruar se rreziqe mund të ketë në dy shërbimet e Onkologjisë, por në veçanti në shërbimin e Radioterapisë.

“Në Shërbimin e Radioterapisë personeli është i pajisur me mjete mbrojtëse dhe dozimetra dhe kjo e lehtëson shumë punën në këtë shërbim. Por, realisht punojmë ndonjëherë edhe më shumë se 30 orë”- ka thënë ai. 

Në mënyrë që të evitohet puna me orar të stërzgjatur, ky burim shtoi se ka nevojë për staf shtesë infermier në te dy shërbimet e Onkologjisë pasi numri i pacientëve është në rritje. 

Situata në Klinikën e Onkologjisë dhe klinikat tjera të QKUK-së që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë është shqetësuese edhe sipas Odës së Mjekëve të Kosovës. 

“ShSKUK ka një rregullore për mbrojtje në punë e bazuar në Ligjin e Punës dhe Ligjin për Sigurinë në punë, ku obligimet nga këto ligje dhe rregulloren e brendshme të SHSKUK-së nuk janë respektuar fare. Klinikat ku punohet me rreze jonizuaese janë më të rrezikuarat dhe pa asnjë kontroll sistematike të punëtorëve të tyre”, ka thënë Dr. Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës. 

Në ShSKUK thonë se bëjnë vlerësime të rrekshmërisë së vendeve të punës, por ata nuk kanë bërë publikë ndonjë raport të tillë.

I vetmi raport publik i tillë është ai i vitit 2019, i publikuar në gazetenshneta.net para rreth dy vitesh. Raporti kishte konstatuar se ventilimi për nxjerrjen e rrezeve jonizuese mungon pothuajse në të gjitha kabinetet e radiologjisë. 

Në të njëjtin raport, ishte konstatuar se menaxhmenti i QKUK-së kishte lënë stafin mjekësor nën mëshirën e rrezeve jonizuese. Sipas të njëjtit raport, në Klinikën e Radiologjisë, specifikisht në dhomën e Rezonancës Magnetike mungonin ventilimi, dalja emergjente, mirëmbajtja e nyjeve sanitare, kontrollet mjekësore dhe trajnimi i të punësuarve. 

Raporti për vlerësimin e rrezikshmërisë është kërkuar nga Sali Bllaca, Shef i Sektorit për Mbrojtje dhe Siguri në Punë në SHSKUK. I njëjti ka deklaruar se raportet e tilla draftohen vetëm për nevoja të brendshme të klinikave, derisa pranoi që disa nga rekomandimet e dala nga raportet e Sektorit të tij janë ende në proces të zbatimit, pasi “varen nga hapësira buxhetore e klinikave për zbatimin e tyre”. 

Sektori për Siguri dhe Shëndet në Punë, i themeluar më 2015, mbikëqyr zbatimin e Ligjit Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. 

Ligji specifikon parimet e përgjithshme për parandalimin e rreziqeve për sëmundje profesionale, eliminimin e faktorëve të rrezikut dhe aksidenteve, informimit, konsultimit, pjesëmarrjes së balancuar në përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, trajnimit të punësuarve, përfaqësuesve të tyre dhe udhëzimeve të përgjithshme për zbatimin e këtyre parimeve.

Zbatimi i rekomandimeve 

Punëtorët shëndetësor të ShSKUK-së mbesin të shqetësuar për pasojat që mund të ketë përdorimi i pajisjeve me rrezikshmëri të lartë në punën e tyre të përditshme. 

“Ne e kemi Laparaskopinë dhe Rentgenin që rrezaton, normal që jemi të rrezikuar nga rrezet X”, pohoi në kushte anonimiteti një nga punëtorët shëndetësor të Klinikës së Ortopedisë në QKUK, duke refuzuar të deklarohet më tej. 

Përkundër se në vitin 2019 ishin bërë vlerësime reale për rrezikshmërinë që përballën punëtorët shëndetësor, të njëjtit ende i ekspozohen rrezikut, ani pse sipas drejtorëve të klinikave të QKUK-së është përmirësuar kjo situatë dukshëm pas vlerësimeve të rrezikshmërisë. 

Sipas tyre, disa prej hapave që janë ndërmarrë për sigurinë e stafit shëndetësor janë pajisjet mbrojtëse, muret mbrojtëse, angazhimi i fizicientëve, kontrollet mujore, shkurtimi i orarit të punës nga 40 orë në 30, si dhe hapa të tjerë. 

Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore ka treguar se klinikat e QKUK-së, që kanë licencë për praktikat me rrezatim jonizues janë Klinika e Mjekësisë Nukleare, Klinika e Radiologjisë me të gjitha njësit dhe pajisjet qe gjerojnë rrezatim jonizues që janë të instaluara në klinika tjera, Klinika e Onkologjisë (Reparti i Telterapisë dhe Brakiterapisë) dhe Klinika e Kardiokirurgjisë. 

Kjo Agjenci, në raportin e fundit kishte ngritur shqetësime për disa nga problemet me të cilat përballeshin klinikat e lartpërmendura, teksa ka dhënë një varg rekomandimesh. 

Rekomandimet kryesore që janë dhënë janë punësimi i fizikantëve mjekësorë në Klinikën e Mjekësisë Nukleare dhe Klinikën e Radiologjisë, ventilimi në kabinetet e radiologjisë dhe përmirësimi i dyerve të disa kabineteve radiologjike, ventilatori në dhomën e nxehtë në Mjekësinë Bërthamore, siguria fizike ne Onkologji, reparti i brakiterapisë si dhe shënjëzim i zonave me rrezatim jonizues”, thuhet në përgjigjen e tyre. 

Vlerësimi i rrezikshmërisë në klinikat e lartpërmendura vazhdon të kryhet nga Bllaca, Shef i Sektorit për Mbrojtje dhe Siguri në Punë në SHSKUK.

Ai ka listuar një varg rreziqesh që veçse janë konstatuar për punëtorët shëndetësor të këtyre klinikave. 

Sipas tij, ekspozimi ndaj rrezeve X, ekspozimi pas derdhjes se metaleve radioaktive, mosrespektimi i sistemeve te sigurisë, puna në EHO, rreziqet mekanike janë vetëm disa prej rreziqeve që u kanosen stafit mjekësor në kryerjen e detyrave.

“Ekspozimi ndaj rrezatimit jonizues gjatë kryerjes së skanimeve me rreze X, skanimeve të CT, fluoroskopisë, mamografisë, angiokardiogrameve, radioterapisë ose procedurave të Infermieri-mit nuclear. Ekspozimi pas derdhjes së materialeve radioaktive si një derdhje e lëngshme në dysheme ose veshje. Mosrespektimi i sistemeve të sigurta të punës ose kufizimi i zonave, Ekspozimi ndaj rrezatimit jonizues akut dhe kronik. Ekspozimi nga radioaktivitetit jo Jonizues (Ekspozimi ndaj fushave magnetike gjatë kryerjes së imazheve të Rezonancës Magnetike (MRI), Ekspozimi ndaj laserit, Puna me EHO, Ekspozimi ndaj pajisjeve me ekran çfaçës etj.)”, ka thënë Bllaca. 

Në mesin e agjentëve kimik, të rrezikshëm për shëndetin ai ka përmendur “Ekspozimin ndaj pastruesve që përdoren për pastrim rutinë, dezinfektuesve dhe sterilizuesve, anestetikëve, avujve kirurgjikal në sallat operuese, gazërave Halothan, Sevofluran, N2O, Izofloran, barnave farmaceutike, Zhivës / Merkurit, Nga agjentet biologjik, ( Sekrecionet orale, Ekspozimi ndaj agjentëve infektivë, e të tjera”. 

I pyetur lidhur me strategjinë e QKUK-së për këto klinika dhe këta punëtorë, ai tha se po punohet “në ngritjen e kushteve mbrojtëse në punë, ambiente të përshtatshme dhe me standarde të nevojshme, furnizimi i vazhdueshëm me pajisje mbrojtëse personale, mirëmbajtja, servisimi dhe kalibrimi i pajisjeve në punë”. 

Tutje, në mesin e masave mbrojtëse, ai përmend planifikimin dhe ndarjen e mjeteve për implementimin e rekomandimeve nga vlerësimi i riskut ne punë, permirësimi i kushteve në punë si dhe zvogëlimi i orarit të punës.

Drejtuesit e klinikave si Onkologji dhe Radiologji, i gëzohen vlerësimit të riskut në punë. 

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit në Onkologji, Arben Bislimi thotë se tanimë si klinikë janë pajisur me muret mbrojtëse nga rrezatimi, dyer me izolim, si dhe është bërë vlerësim i aftësisë mbrojtëse nga rrezet dhe kontrolle të tjera.

“Kemi muret me aftësi përkatëse mbrojtëse nga rrezatimi. Dyert me izolim dhe mekanizma pneumatic, Butonë emergjence, staf që vazhdimisht trajnohet dhe avancohet. Matjet në baza periodike, gjithashtu janë masa për uljen e incidenteve”.

Më tej, Bislimi thotë se “është bërë vlerësimi i aftësisë mbrojtëse nga rrezet, në ambientet ku punon stafi, në pritoret e pacientëve si dhe në hapësirat e jashtme. Gjithashtu kryhen matje rutinore kur ndërrohet Burimi Radioaktiv. Por, edhe matjet e tufës së rrezatimit kryhen çdo ditë para fillimit të punës me pacientë. Gjithashtu kryejmë vlerësime periodike (muaj, vite..)””. 

I njëjti pranon se punëtorët shëndetësor kanë shqetësime për rrezikun që u kanoset në punën e tyre të përditshme. 

Por, sipas tij, më shumë është çështje përceptimesh dhe nuk ka të bëjë me shqetësime reale.

“Ankesa serioze [nga stafi] nuk ka, zakonisht ndërlidhen me perceptimet që ata kanë. (P.sh. krahasim me dozën e regjistruar nga dozimetri i tyre me dozen e ndonjë kolegu. Por që te dy vlerat janë brenda nivelit të sfondit natyror). Ju njoftoj se çdo i punësuar në RT ka dozimeter personal, i cili mat rrezatimin mujor me të cilin expozohet punëtori. Por, nuk ka të bëjë me ndonjë shqetësim real”, thotë ai. 

Tutje, ai ka listuar rreziqet nga aparaturat dhe pasojat serioze që shkakton mospërdorimi adekuat i tyre. 

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që në QKUK të ndodh një gjë e tillë, veçanërisht në fatkeqësi natyrore.

“Potencialisht, nëse Burimi apo gjeneratorët e rrezeve nuk përdoren, sipas rekomandimeve ato mund të jenë shkaktare për mbiekspozime, gjë që nuk ka ndodhë deri më tani dhe ka gjasa të vogla të ndodhë, për shkak të masave që kemi marrë. Në rast të ndonjë termeti apo fatkeqësie natyrore shtohet mundësia të kemi situata më të ndërlikuara. Megjithatë, sistemet që posedojmë kanë shumë mekanizma mbrojtës që zvoglojnë mundësinë e ndonjë incidenti”, tregon ai. 

Ankesa serioze nga stafi shëndetësor nuk ka as në Klinikën e Radiologjisë, thotë Drejtoresha e kësaj Klinike, Shkëndije Nuza, ndonëse bëjnë pjesë në klinikat që i ekspozohen rreziqeve të ndryshme gjatë kryerjes së detyrave.

Ajo thotë Agjencioni për Mbrojtje nga Rrezatimi bën matje mujore për shkallën e rrezatimit si dhe fizikanti merret me përcjelljen e aplikimit të masave mbrojtëse nga personeli dhe pacientët.

“Bëhet matja mujore e dozimetrave nga ky agjension për të matur shkallën e rrezatimit të personelit; Në klinikën tonë është i punësuar edhe fizikanti që merret me përcjelljen e aplikimit të masave mbrojtëse kundër rrezatimit nga personeli dhe për pacientet”, thotë ajo.

Derisa, Dr.Nuza shtoi se stafi shëndetësor është çdo herë i kujdesshëm që të respektojë procedurat e rregulluara edhe me ligje ndërkombëtare që të sigurojë mbrojtjen nga rrezatimi për personalin dhe pacientët, mëqenëse rrezikshmëria është karakteristikë e kësaj klinike.

“Aparaturat me rrezatim jonizues gjejnë aplikueshmëri të gjerë në shëndetësi dhe duhet të aplikohen masat strikte për mbrojtje nga rrezatimi për personelin dhe pacientët, si dhe sigurisë së ambienteve ku realizohen ekzaminimet me rrezatim jonizues. Këto procedura janë të rregulluara me ligje ndërkombëtare”, thotë ajo.

Pushim i zgjatur dhe orar i shkurtër për t’i ikur rrezikshmërisë

Stafi mjekësor dhe ai teknik për vite me radhë i janë ekspozuar rreziqeve të ndryshme në kryerjen e detyrave të tyre në përpjekje për shërimin e pacientëve dhe evidentimin e sëmundjeve të ndryshme.

Përgjatë gjithë atyre viteve sa janë themeluar këto klinika, stafi mjekësor kanë punuar me orar të plotë të punës, madje edhe pa disa pajisje bazë për mbrojtje, por që janë siguruar së fundmi.

Që nga viti 2019 ka filluar vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës në këto tetë klinika të QKUK-së, ku gradualisht kanë filluar edhe të ndërmirren disa nga masat për të ulur rrezikshmërinë.

Për shkak të ekspozimit ndaj rrezikshmërisë së lartë në punë, stafi mjekësor i këtyre klinikave aktualisht punon me 30 orë në javë dhe jo 40 siç është e paraparë me Ligjin e Punës. Ndërsa, si masë parandaluese nga rreziqet shëndetësore këtyre punëtorëve shëndetësor u janë shtuar edhe 10 ditë më shumë pushim vjetor.

Sali Bllaca, Shef i Sektorit për Mbrojtje dhe Siguri në Punë në SHSKUK, thotë se shkurti i orarit të punës ka ardhur si masë efektive për këta punëtorë shëndetësor, meqë qëndrimi në ambiente të mbyllura është më i shkurtër.  

“Përveç masave tjera të nevojshme të cilën ndikojnë në sigurinë dhe shëndetit në punë edhe shkurtimi i orarit të punës ndikon pozitivisht në shëndetin e tyre pas zvogëlon kohen e qëndrimit në ato ambiente të mbyllura që vlerësohen me rrezikshmëri të lartë”. 

Edhe U.D i Drejtorit të Onkologjisë përmend shkurtimin e kohës së ekpozimit ndaj rrezeve jonizuese si një nga tre hapat kryesor që mbrojnë shëndetin nga rrezatimet. 

“Siç dihet ekzistojnë tre parime bazë për Mbrojtje nga Rrezatimi: distanca, barriera mbrojtëse dhe shkurtimi i kohës së ekspozimit. Në radioterapi, e organizojmë punën në atë mënyrë që secili punëtor t’i ekspozohet rrezatimit për kohë të njëjtë. Me qëllim që shpërndaja e dozës së absorbuar te punonjesit të jetë e njëjtë. E sigurisht se është dukshëm më e vogël se standardi për expozime ndaj rrezatimit”. 

Shkurtimi i orarit respektohet edhe në Klinikën e Radiologjisë, sipas Drejtoreshës së kësaj Klinike, Shkëndije Nuza. 

Por, sipas kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, masa për shkurtim të orarit për punëtorët shëndetësor të klinikave me rrezikshmëri të lartë është masë e ndërmarrë pa ndonjë analizë profesionale. 

“Shkurtimi i orarit të punës është masë me efekt minimal”, thotë ai. 

Ai thote tutje se për të gjitha këto shkelje të evidentuara nëpër klinika, janë në pritje të vendimit të Inspektoratit të Punës pas një raporti që kanë kërkuar, ku janë gjetur një mori shkeljesh ligjore. 

Ne kemi kontaktuar disa herë Inspektoratin e Punës, por të njëjtin edhe pas 20 ditësh, pavarësisht përpjekjeve të shumta, nuk kanë kthyer përgjigje. 

Heshtjen e ka zgjedhur edhe Ministria e Shëndetësisë.

Derisa, nga Agjencia për mbrojtje nga Rrezatimet thonë se shkurtimi i orarit është efektiv “për rastet kur ka tejkalime mujore ose vjetore te dozave të rrezatimit”. 

Mjekët që ikin nga Kosova po lënë boshllëqe të mëdha 

Një nga dukuritë më shqetësuese të viteve të fundit në shëndetësinë e Kosovës ka qenë ikja nga vendi e kuadrit specialistik mjekësor. 

Kjo po shkakton stërngarkesë të stafit aktual mjekësor. 

Ngarkesë në punë e stafit mjekësor të klinikave me rrezikshmëri të lartë është shqetësuese dhe mund të ketë pasoja të rënda dhe incidente. 

“Sipas të dhënave shkencore të publikuara, në shumicën e rasteve deri të incidentet apo aksidentet radiologjike ka ardh për shkak të ngarkesës së punës. Si në çdo punë tjetër, nëse punonjësit janë të stërngarkuar me  punë rritet gjasa me shkaktu ndonjë incident”, thotë i pari i Onkologjisë, Dr. Arben Bislimi. 

Vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë, sipas një hulumtimi të Federatës Sindikale të Shëndetësisë. 

Sipas tyre, përveç pagave, mjekët ankohen për sistem jo të mirë shëndetësor, planifikim të punësimit, politizimit të shëndetësisë e faktorë të shumtë. 

Ikja e mjekëve nga Kosova po lë boshllëqe të mëdha nëpër klinika, të cilat punojnë me staf të pakët dhe të stërngarkuar. 

Ndonëse për këto tema kanë refuzuar të flasin nga Ministria e Shëndetësisë, e njëjta përmes një njoftimi publik u ka bërë thirrje mjekëve nga diaspora që të kthehen për të kontribuar në Kosovë. 

“Bashkëpunimi profesional në institucionet tona ka ekzistuar dhe aktualisht është duke marrë ritëm të ri. Por, në mënyrë që ky bashkëpunim të thellohet e dinamizohet ju ftojmë të shprehni interesimin tuaj për të ndihmuar vendin dhe sektorin krah për krah me kolegët që me mundin e dijen e tyre sigurojnë shërbimet në të gjitha nivelet” – thuhet në një njoftim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndryshe, sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licensuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC dhe BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian