Ngacmimet, një nga shkaktarët për shkallën e ulët të punësimit të grave

Në një lokal në një prej lagjeve më të banuara të Prishtinës, 23 vjecarja Drita Guri* punon kamariere dhe shankiste për më shumë se një vit.

Përkundër pasionit për punen që bënte, ajo thotë se shpesh e ka gjetur vetën para një udhëkryqi, vështirë të kalueshëm: të vazhdojë punën si kamariere apo ta lë atë.

“Ku je ndalë e ke mendu a duhna me u ndalë për shkak të dikujt që tenton me të ngacmu apo me vazhduar sepse më pëlqen si profesion. Fillimisht kam vazhdu me i injoru gjithcka që ndodhë e ndoshta me hekë dorë edhe prej vendeve të punës kur je e ngacmuar”, thotë Guri. 

Ajo shton se ka arrit t’i përballojë ngacmimet, por jo edhe sulmet seksuale.

“Kam vendosë me e ndërpre punën sepse kanë tentu me ma prekë trupin”, thotë Guri.

Drita Guri* nuk është rasti i vetëm i sulmeve dhe ngacmimeve seksuale ndaj grave kamariere.

Blodina Mala, në janar të vitit 2021 derisa kryente punën e saj në një prej lokaleve të gastronomisë është ngacmuar nga një klient i rregullt, që sipas saj, nuk ishte hera e parë që i njëjtë e ngacmonte.

“Personi në fjalë ka qenë më i moshuar, klient i rregullt edhe gjithmonë më ka ngacmu.”

Mala shton se klienti është treguar edhe agresiv në momentin e refuzimit që i ka bërë asaj. 

“Atë ditë më ka thirrë edhe edhe te tavolina ku ma pat kërku numrin e telefonit me fjalinë ‘ishim dalë me e pi nga një kafe, pas pune, shoqnisht’. E pas përgjigjes time negative, personi është acaruar dhe ka filluar me komente edhe më të rënda”. 

Blodina Mala tregon që menjëherë është drejtuar me rastin tek punëdhënësi i cili sipas saj, ka larguar klientin nga lokali. 

Por, për Drita Gurin* sulmi seksual ndaj saj nuk ka marrë reagimin e njëjtë. Ajo thotë që çështjen e kishte ngritur tek menaxhmenti i lokalit, por ishte këshilluar t’i mbyllë sytë.

“Prej personave kompetent nuk janë cilësu si ngacmime seksuale gjithë këto, por që bukfalisht kanë qenë ngacmim seksual, pra mbrojtja prej tyre ka qenë se ajo është veç hajgare… po nuk është hajgare”, tregon ajo.

Rastet në polici nuk i kanë lajmëruar asnjëra prej vajzave, pasi thonë se ka mungesë të bashkëpunimit dhe trajtimit adekuat të rasteve të tilla.

“Për shkak se kam pas shumë raste kur doja t’i paraqisja ngacmimet që më kanë ndodhë edhe jashtë vendit të punës, por që përgjigja e policisë ka qëne ‘pa prova nuk mund të bëjmë asgjë’. Kam vendosë me bo paqe me rastin që ka ndodhë edhe me e vazhdu punën”, tregon Mala. 

Adelina Tershani nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës tregon se ngacmimet seksuale në vendin e punës i demotivon ato për të kërkuar një vend pune tjetër.

“Hulumtimet e fundit të Rrjetit të Grave të Kosovës, tregojnë që shumë prej tyre përjetojnë ngacmim seksual në vendin e punës qoftë nga punëdhënësi, kolegët apo edhe klientët. Sidoqoftë, pak raste raportohen dhe trajtohen me seriozitet nga organet e drejtësisë”, thotë Tershani.

Ajo thotë se shumë raste të ngacmimeve nuk po raportohen.

“Disa nga arsyet pse raste të pakta janë raportuar janë frika nga humbja e vendit të punës, kultura e fajsimit, burokracia si dhe frika nga mos-ruajtja e anonimitetit të viktimave nga organet ku ato raportojnë”- thotë ajo.

Raste të ndryshme të ngacmimeve seksuale të grave që punojnë në sektorin e gastronomisë i kanë pranuar edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës. 

Ata thonë se kohëve të fundit është shtuar numri i punëtorëve, prandaj janë ballafaquar edhe me numër më të lartë të ankesave të tilla.

Ata thotë se si Shoqatë ende nuk kanë një manual apo rregullore që do t’i ndihmone gastronimisë që të trajtojë një rast të ngacmimit.

Si shoqatë ende nuk kemi trajtuar një politikë adekuate, por jemi të hapur dhe në diskutim me një organizatë tjetër e cila trajton dukuri të tillë veçse dhe zgjidhjet që kjo organizatë i ka identifikuar janë më të rëndësishme sepse trajtojnë raste të tilla dhe rrjedhimisht ofrojnë zgjidhje më të duhura se cfarë mund të ofronim ne si shoqatë”, shprehet Petrit Kllokoqi, kryetar i shoqatës. 

Kllokoqi evidenton edhe faktin që mungesa e punëtorëve ka bërë që tash te në sektorin e gastronomisë të ketë më shumë gra të punësuara. 

Kjo ka filluar veçanërisht nga viti 2015 me kalimin e ligjit për emigrimin e punëtorëve të sektorit privat, pasuar me lehtësimin  e procedurave të pranimit të vizave të punës sidomos nga Ambasada Gjermane dhe vulosur nga gjendja ekonomike”- ka thënë Kllokoqi.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave, në Kosovë vetëm 16.5% e grave në moshë pune janë të punësuara. Ndërsa, vetëm 22% e grave dhe vajzave në moshë të punës janë aktive, ndërsa 78% të tyre konsiderohen jo-aktive. Personat që nuk janë ekonomikisht aktivë në tregun e punës janë personat nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të fundit dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. 

Tershani beson se fenomeni i ngacmimeve është një prej arsyeve pse disa gra mund të jenë të demotivuara që të kerkojnë punë apo të kërkojnë të drejtën për trajtim të dinjitetshëm brenda vendit të punës.

Sipas raportit vitit 2021 të Rrjetit të Grave të Kosovës, 24% e grave të anketuara në Kosovë kanë thënë se janë ngacmuar seksualisht në vendin e punës dhe 18% e burrave. 

Në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas thonë se raste të ngacmimeve seksuale në punë  që janë proceduar pas ankesës së bërë nga gratë.

Juristi Anton Nrecaj thotë se kur gratë kanë raportuar se janë ngacmuar seksualisht, ato nuk ka shprehur vullnetin të vazhdojë me procedim ligjor për ngacmim seksual.

“Arsyet kanë qenë të ndryshme, mbi të gjitha arsyeja kryesore ka qenë që po ta raprotojnë rastin ato do të linqohen nga rrethi dhe nga familja dhe se nuk do tu lejohen që të vazhdonin të punonin apo të kërkonin punë”- thotë Nrecaj. 

Ligji i Punës i Republikës së Kosovës obligon të gjithë punëdhënësit që për punën e njejtë të paguajnë punëtorët me pagë të njëjtë. Edhe pse nuk ka matje të kohëve të fundit, një raport i Demokracisë për Zhvillim me sugjerime për Strategjinë e Punësimit, evidenton se gratë për punën e njëjtë paguhen më pak se burrat.

Vlerësimet janë nxjerrë duke përdorur të dhënat nga Anketa e Fuqisë Punëtore dhe Përdorimit të Kohës 2017 realizuar për Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit

Ky studim zbuloi se krahasuar me burrat, gratë me të njëjtat karakteristika të vëzhguara të tregut të punës (si shkollimi, përvoja e punës, etj.) fitojnë 6.1% më pak në orë se homologët e tyre burra dhe ky hendek është si pasojë e dallimeve në karakteristikat e pamatura ose sjelljes diskriminuese. 

Një prej problemeve kryesore në ekonominë e Kosovës është shkalla shumë e ultë e punësimit të grave.

“Edhe më shqetësuese këto shifra bëhen nga mungesa e ndryshimit të dukshëm përgjatë viteve.  Shkalla e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore nga viti 2015 është në 18.1%”, shprehet Judita Krasniqi – Hajdari, hulumtuese në D4D. 

Ajo shton se gratë përballen edhe me kushte më të vështira për t’u punesuar për shkak të çështjes së transportit, qendrave të kujdesit ditor, lejes së lehonisë, ngacmimeve në vendin e punës dhe sfida të tjera që janë specifike për gratë.

Besa Luzha, nga Friedrich-Ebert-Stiftung Kosovo, thotë se kanë përkrahur shumë projekte në fushën e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Ajo thotë se edhe në sektorin publikë ka diskriminim të grave edhe pse me ligj është e caktuar barbarëtësia tek cështja e pagave dhe pozitave.

“Diferencat rrjedhin nga aspekte të tjera, p.sh nëse ka mëditje për udhëtime zyrtare, punë shtesë, komisione etj., gratë marrin më pak sepse për shkak të angazhimeve të mëdha në shtëpi (fëmijët, shtëpia, të moshuarit) marrin më pak angazhime shtesë. Aty pastaj mund të ketë në total diferencë”- thotë Luzha.

Në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas nga 153 raste të shkeljes të të drejtave të punëtorëve në sektorin e gastronomisë, vetëm 10% e tyre kanë pasur kontrata të punës, e që prej këtyre rasteve, 98 janë gra.

“Gjate trajtimit te ketyre rasteve vetem 37 prej tyre kan perfunduar me padi ne gjykate ndesa pjesa tjeter nuk kan shprehur vullnetin te vazhdojnë me tutje per arsye te shpenzimeve procedurale dhe mbi te gjithe per arsye se nuk kan besuar shume se ne fund do te kete drejtesi per ato”, shprehet juristi Nrecaj. 

Nga të gjitha rastet që Qendra për Ndihmë Juridike Falas proceset në Gjykatën Themelore janë duke u zvarritur.

“Asnjë prej rasteve deri më tani nuk ka marr epilog, vetëm tre prej të gjitha rasteve (padive) të dërguar në gjykatë janë iniciuar me nga një seancë të mbajtur në gjykatë.  është shqetësuse fakti se rastet e trajtimit në të drejtën e punës nuk trajtohen me prioritet, edhe pse sipas ligjit këto raste duhet të trajtohen me prioritet të lartë”, tregon Nrecaj. 

Gjatë vitit 2021 Inspektorati i Punës ka inspektuar 38,035 të punësuar 26,434 meshkuj dhe 11,636 gra, e nga këto ka kryer inspektime tek 431 gra punëtore, pa kontrata pune. 

Drita Guri* është emër imagjinar, pasi personi që ka pranuar të rrefejë historin e saj ka kërkuar që të jetë anonim.

‘Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC dhe BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian’