Ilustrim

Studimi, zëvendësimi i mishit të përpunuar me atë me bazë bimore mund ta ulë rrezikun e diabetit dhe sëmundjeve të zemrës

Analiza e 37 studimeve ka zbuluar se përfitimet më të mëdha shëndetësore vijnë nga zëvendësimi i mishit të përpunuar, me një ulje prej 20% të diabetit të tipit 2.

Zëvendësimi i mishit dhe qumështit me drithëra, fasule, arra dhe vaj ulliri mund t’i zvogëlojë ndjeshëm sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin e tipit 2, thotë një rishikim i madh për ndikimin e dietës në shëndet.

Studiuesit në Gjermani kanë analizuar 37 studime të publikuara për t’i vlerësuar përfitimet e kalimit nga mishi i kuq dhe i përpunuar, shpendët, peshku, vezët dhe produktet e qumështit tek ushqimet me bazë bimore si fasulet, arrat, drithërat, vajrat, frutat dhe perimet.

Studiuesit e lartcekur kanë gjetur reduktime të dukshme në sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin e tipit 2 dhe një rrezik më të ulët të vdekjes nga çdo shkak gjatë periudhave të mbuluara nga studimet, veçanërisht kur mishi i kuq dhe i përpunuar është zëvendësuar me ushqime me bazë bimore.

“Kjo dëshmi nxjerr në pah përfitimet e mundshme të kalimit nga dieta me bazë shtazore, duke përfshirë mishin e kuq dhe të përpunuar, vezët, qumështin, shpendët dhe gjalpin, tek ushqimet me bazë bimore si arrat, bishtajoret, drithërat dhe vaji i ullirit”, thotë Dr Sabrina Schlesinger, autor senior e studimit në Qendrën Gjermane të Diabetit në Düsseldorf.

Rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare ishte rreth 25% më i ulët kur 50 g mish i përpunuar në ditë zëvendësohej me arra ose bishtajore. Ndërkohë, zëvendësimi i një veze në ditë me 25 g arra lidhet me një rrezik 17% më të ulët. Megjithatë, nuk kishte asnjë provë të qartë se zëvendësimi i shpendëve ose peshkut me arra ose bishtajore i reduktonte sëmundjet kardiovaskulare.

Përfitime të ngjashme janë parë edhe për diabetin e tipit 2 dhe të gjitha shkaqet e vdekjes të regjistruara nga studimet e analizuara. Autorët e kanë llogaritur një reduktim të diabetit të tipit 2 me rreth 20% kur 50 gr mish të përpunuar në ditë ndërroheshin me deri në 28 g arra, ose kur një vezë ditore zëvendësohej me 30 gr drithëra integrale ose 10 gr arra.

Zëvendësimi i mishit të përpunuar, i cili shpesh ishte mish i kuq në formën e proshutës, salsiçeve ose hotdogs-ave, lidhej me përfitimet më të qarta shëndetësore. Sipas studimit në BMC Medicine, ndërrimi i 50 g mish të përpunuar në ditë për 28-50 g arra u shoqërua me një rrezik 21% më të ulët të vdekjes nga çdo shkak në studimet e vlerësuara.

Hulumtimi nuk është thelluar në arsyet e përfitimeve të vërejtura shëndetësore, por mishi shpesh është i pasur me acide yndyrore të ngopura të cilat mendohet se e rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit të tipit 2. Mishi i përpunuar mund të ketë gjithashtu nivele të larta të natriumit, nitrateve dhe nitriteve. Nga ana tjetër, ushqimet me bazë bimore janë të pasura me lëndë ushqyese thelbësore, të tilla si fibra, vitamina dhe minerale, antioksidantë dhe fitokemikale të cilat e zbusin inflamacionin./The Guardian