Pejë, pesë pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

Mantelbardhët e Spitalit të Pejës janë duke trajtuar 25 pacientë të infektuar me COVID-19, prej tyre 18 janë duke u asistuar me oksigjeno – terapi, asistim për lehtësim të frymëmarrjes për pacientë, ndërsa nga këta pesë janë në gjendje më të rëndë.

Nga rezultatet e publikuara dje nga Institutiti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bëhet e ditur se në komunën e Pejës një person ka rezultuar pozitiv me SARS-CoV-2, përderisa në nivel vendi dje janë regjistruar 281 raste të reja të infektimit me coronavirus.

Në njoftimin e Institutit tutje është bërë e ditur se gjatë 24 orëve tre persona janë vdekur si pasojë e infeksionit me pandeminë COVID-19.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.