Foshnje/BBC

Mjekët nga SHBA kryejnë ndërhyrje në mitër për riparim të shtyllës kurrizore tek foshnjat

Mjekët amerikanë thonë se kanë kryer me sukses operacionin tek foshnjat në mitër për të riparuar defektin e shtyllës kurrizore (spina bifida) duke përdorur një metodë speciale, terapeutike me anë të qelizave burimore (staminale), raporton BBC

Qelizat staminale janë lëndët e para të trupit – qeliza nga të cilat krijohen të gjitha qelizat e tjera me funksione të specializuara. 

Ekspertët shpresojnë që hulumtimi në UC Davis Health mund të ndihmojë me spina bifida – kur palca kurrizore dhe shtylla kurrizore nuk zhvillohen siç duhet.

Tre nga foshnjat në testim tani kanë lindur, derisa ekipi do t’i monitorojë për të paktën gjashtë vjet.

Pa trajtim, spina bifida ndonjëherë mund të çojë në një sërë problemesh gjatë gjithë jetës, përfshirë probleme me lëvizshmëri për shkak të dëmtimit nervor.

 Në raste ekstreme, kanali kurrizor mbetet i hapur dhe i ekspozuar. Nëse defekti nuk mbyllet/riparohet pak para ose pas lindjes, mund të shkaktojë paralizë totale të këmbëve.

Kirurgët kanë përdorur këtë hapësirë, tek foshnjat në mitër, si mundësi për ndërhyrje. Ekipi nga SHBA kanë bërë  transplant ose implant për lidhje të hapësirës në shtyllën kurrizore.

Implanti përmban qeliza të papjekura, të quajtura qeliza staminale, që mund të rriten me foshnjën.

Studiuesit thonë se tashmë kanë pasur rezultate shumë premtuese te kafshët me këtë teknikë. Ata e kanë provuar në dele dhe një palë këlyshësh bulldog anglezë.

Baby Robbie është një nga të parat që ka marrë trajtimin.

Nëna e saj, Emily, thotë se trajtimi ishte një litar shpëtimi që nuk mund ta refuzonin.

“Ne nuk dinim për spina bifida deri në diagnozë. Jemi shumë mirënjohës që u bëmë pjesë e saj. Po i japim vajzës tonë shansin më të mirë për një të ardhme të ndritur”- tha ajo.

Emily kujton ditën kur Robbie lindi më shumë se një vit më parë.

“Një nga frikërat e mia të para ishte se nuk do të mund ta shihja, por ata e sollën tek unë. E pash teksa i lëvizi gishtërinjët e këmbës për herë të parë. Ishte kaq qetësuese dhe pak larg kësaj bote”- tha ajo.

Ekipi i UC Davis planifikon të trajtojë rreth 35 foshnja si pjesë e testit të tyre. 

Nevojiten më shumë studime për të vlerësuar se sa mirë funksionon trajtimi. Robbie dhe foshnjat e tjera do të bëjnë kontrolle për të parë përparimin e tyre.

 Profesori Paolo De Coppi, është kirurg pediatrik në spitalin ‘Great Ormond Street’ të Londrës. Ai ka bërë operacione te foshnjat në mitër për spina bifida dhe thotë se përdorimi i implanteve të qelizave staminale mund të përmirësojë rezultatet edhe më tej. 

“Kjo është shpresa, por duhet të presim dhe të shohim”- tha ai.

Nuk dihet se çfarë e shkakton spina bifida, por një sërë faktorësh mund të rris rrezikun që fëmijët të zhvillojnë këtë gjendje.

Mungesa e acidit folik (vitamina B9) gjatë shtatzënisë është një nga më të rëndësishmet.

Profesoresha Neena Modi, eksperte në mjekësinë neonatale në ‘Imperial College London’ në Mbretërinë e Bashkuar, theksoi rëndësinë e marrjes së suplementeve gjatë ngjizjes dhe gjatë shtatzënisë – një ndërhyrje, sipas saj, e lirë dhe e lehtë që mund të ndihmojë në parandalimin e rasteve të spina bifida.