Dr. Memli Morina

Këshillat e Mjekut: Çka janë polipet dhe si trajtohen

Ankthi i grave kur shkojnë te gjinekologu është se mos ndoshta nga ekzaminimi del se ka cistë, miomë apo polip, thotë për KALLXO.com gjinekologu Memli Morina.

Sipas tij  çudia bëhet edhe më e madhe, sepse zakonisht ajo grua nuk kishte ndonjë ankesë apo problem të madh.

“Polipi është një formacion që duket sikur një puçërr me madhësi 1 deri 1,5 cm, por ndonjëherë mund të rriten edhe më shumë se kaq. Polipi në qafën e mitrës mund të mos jep asnjë shenjë, por zakonisht shkakton gjakderdhje gjatë marrëdhënieve seksuale dhe sekret të shtuar vaginal”, thotë Morina.

Sipas tij polipi në endometrium (në brendi të mitrës) shkakton infertilitet, gjakderdhje të ç’rregullt menstruale dhe gjakderdhje të zgjatur vaginale.

“ Janë dy llojesh, mund ta kenë një kërcell që e lidh me sipërfaqen e indit prej të cilit del (quhet me pedunkul), ose është i ngjitur me indin prej ku del dhe është i rrafshtë (quhet sesil). Zakonisht, nuk janë kancerozë, por ndikojnë në gjakderdhjen menstruale dhe mundësinë që të mbeteni shtatzënë”, thotë ai.

Sipas doktorit nëse polipi nuk shkakton probleme, ka mundësi që të mos trajtohen fare, por polipet hiqen vetëm me intervenim kirurgjik.

“Polipi në qafën e mitrës hiqet lehtësisht me anestezion dhe më pas bëhet i ashtuquajturi ekskohleim i kanalit cervikal, kurse polipi endometrial hiqet me histeroskop”, thotë ai.

Sipas doktorit gati gjithmonë polipet janë beninje por pasi që të hiqet polipi dergohet për ekzaminim histopatologjik.