Vaksina, ilustrim Foto: Pixabay

Gripi sezonal, mbi 800 qytetarë të kryeqytetit u vaksinuan në ditën e parë

Nga 31 tetori ka nisur procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal në nivel vendi.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, ka bërë ditur se në ditën e parë janë dhënë 805 vaksina kundër gripit sezonal.

“805 është numri i qytetarëve të kryeqytetit që janë vaksinuar ditën e parë të vaksinimit me vaksinën e gripit sezonal. Ky numër është rreth 8% e qytetarëve që vaksinohen në kryeqytet”- ka shkruar Sadiku.

Vaksinimi kundër gripit sezonal mbron nga gripi dhe preferohet sidomos për fëmijët mbi 6 muaj, të moshuarit, personelin shëndetësor, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kornike.

Vaksinimi në kryeqytet këtë vit bëhet në 13 qendra të mjekësisë familjare.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin vaksinat kundër gripit sezonal.

“Njerëzit duhet të marrin vaksinën e gripit herët për të krijuar imunitet përpara se virusi të përhapet gjerësisht në fund të vjeshtës dhe dimrit. Personat me rrezik të lartë për komplikime serioze të gripit përfshijnë të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, njerëzit me kushte të caktuara shëndetësore ose sistem imunitar të komprometuar”- thuhet në njoftim.