Ilustrim

MSh planifikon të sigurojë 140 mijë vaksina kundër gripit sezonal për vitet 2021/2022

Për vitin 2021/2022 Ministria e Shëndetësisë planifikon të siguroj 140 mijë doza të vaksinave kundër gripit sezonal.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bënë të ditur se në bazë të analizave e raporteve të përfshira për vaksinim nga vitet e kaluara, kanë bërë planifikim të sigurojnë prej 140 mijë vaksina gjatë sezonës së dimrit për t’i shpërndarë në të gjitha komunat.

Në njoftim thuhet se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar qëndrueshmëri financiare për programin e zgjeruar të imunizimit.

“Synimi kryesor është përfshirja me vaksinë të gripit e të gjithë personave me risk të lartë në Republikën e Kosovës për t’i mbrojtur nga virusët e gripit sezonal që mund të parandalohet përmes vaksinimit (VPS) si dhe sigurimin e mbulueshmërisë sa më të madhe me vaksinë”, thuhet në njoftimin e institutit duke shtuar se “Imunizimi është një nga fushat e rëndësisë strategjike për shëndetin publik”.

Vaksina e gripit në Kosovë ofrohet çdo vit para sezonës së gripit për grupet me risk të lartë. Bazuar në analizën e raporteve të përfshirjes me vaksinim të viteve paraprake është bërë planifikimi për sigurimin e sasisë së vaksinave prej 140,000 dozave gjatë sezonës 2021/22 për tërë territorin e vendit.

Imunizimi është një nga fushat e rëndësisë strategjike për shëndet publik. Vaksina e gripit është metoda më e mirë për parandalimin dhe kontrollin e gripit. Vaksinat e gripit sezonal janë në dispozicion dhe janë përdorur për më shumë se 60 vjet. Gripi shkakton 3-5 milionë raste të formës së rëndë të sëmundjes si dhe deri në 650,000 vdekje në vit në nivel global. Infeksionet e traktit respirator të poshtëm janë shkaku kryesor i vdekjeve në vendet me të ardhura të ulëta çdo vit.

Çka është gripi sezonal?

Gripi sezonal është infeksion akut i frymëmarrjes të shkaktuara nga dy lloje të virusit të gripit.

Gripi karakterizohet me fillim të papritur të etheve dhe kollës, simptoma të tjera mund të përfshijnë dhimbje koke, dhimbje të muskujve, dhimbje të kyçeve, dhimbje të fytit si dhe rrjedhje të hundës.

“Në shumë raste, nuk është e lehtë klinikisht të dallohet gripi sezonal nga infeksionet tjera të frymëmarrjes ku bën pjesë edhe COVID-19, ndërsa për diagnozë përfundimtare kërkohet një test diagnostik”, sqarohet në njoftimin e IKShPK-së.

Veçoritë e vaksinave të gripit janë:

  • të sigurta dhe përgjithësisht tolerohen mirë;
  • kyçe për zvogëlimin e barrës shëndetësore dhe ekonomike të grip;
  • parandalojnë sëmundjen dhe vdekjen si dhe zvogëlojnë transmetimin dhe ashpërsinë e sëmundjes;
  • shumë rrallë paraqiten efekte anësore serioze.
  • gripi sezonal mund të jetë vdekjeprurës., andaj për tu mbrojtur kundër Gripit, rekomandohet vaksinimi vjetor i grupeve të synuara (punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët me sëmundje kronike, të moshuarit si dhe personat me sëmundje kronike).
  • vaksinimi zvogëlon nevojën për trajtim me antiviral, të cilat mund të humbasin efektivitetin kur përshkruhen shumë (për shkak të rezistencës ndaj barnave).
  • vaksinimi kundër gripit sezonal zvogëlon koston e shpenzimeve për sistem shëndetësor.
  • programi i vaksinimit sezonal të gripit gjithashtu ndihmon në përgatitjen e sistemeve shëndetësore për urgjencat e shëndetit publik duke ndërtuar sistemet për shpërndarjen e vaksinave në kohë.
  • fushatat e vaksinimit të gripit sezonal mund të ndërtohen, dhe krijohet me programe të tjera të vazhdueshme të imunizimit, si p.sh për të rritur, punonjës shëndetësorë, dhe grupe të tjera të synuara në programin e vaksinimit.
  • Sipas rekomandimeve të fundit të CDC-së, vaksina kundër COVID-19 dhe vaksina kundër gripit sezonal mund të administrohet në të njëjtën kohë.
  • Personat e sëmurë me COVID-19, pasi që të shërohen mund të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal