Ilustrim

Për 73 ditë rreth 16 mijë raste me grip sezonal, IKShPK bën thirrje për kujdes

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje për kujdes pasi janë shtuar rastet me grip sezonal.

Përmes një postimi në Facebook, IKShPK ka thënë se në javët e fundit vërehet një “intensitet i shtuar i rasteve me grip sezonal”.

“Nga fillimi i sezonës, 01 tetor 2021 (java e 40-të) deri më 12 dhjetor 2021 (java e 49-të) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë raportuar gjithsej 15,786 raste të Sëmundjes të ngjashme me Grip (ILI), 2,498 raste të Infeksioneve respiratore akute (ARI) dhe 69 raste me Infeksion të rëndë respirator akut (SARI)”, thuhet në njoftim.

Por, këto shifra janë rritur ditëve të fundit.

“Gjatë javës së 49-të (06.12.2021-12.12.2021) janë raportuar 5,998 raste ILI (Sëmundje e Ngjashme me Gripin), 465 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 12 raste me Infeksion të Rëndë Akut Respirator SARI”, thuhet tutje në postimin e IKShPK-së.

Ky institucion shëndetësor ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive të Shëndetësisë që të rrisin nivelin e reagimit dhe u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve shëndetësore, publike dhe private, që t’i raportojnë të gjitha rastet e dyshimta.

“Gjatë javës të fundit nga rastet e hospitalizura në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale janë raportuar 49 raste me ARI, 13 raste me ILI dhe 12 raste me SARI”, thuhet në njoftim.

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal, por rekomandohet vaksinimi për të gjithë personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar.

Këto janë rekomandimet sesi të mbrohemi nga gripet sozonale:

* Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

* Nëse keni shenja të gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore!

* Të redukohet numri i vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).

* Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!

* Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve!

* Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes!

* Hidhni faculetën menjëherë pas përdorimit në shportën e mbeturinave!

* Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të pa pastruara!

* Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi!

* Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni!

* Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni ambientin ku qëndroni!

* Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik!