Foto: Pixabay

Studimi i ri tregon nëse 8 orë gjumë janë të mjaftueshme për të moshuarit

Tetë orë gjumë ka qenë prej kohësh rregulli i artë për një pushim të mirë gjatë natës. Mirëpo studiuesit nga Kina dhe Britania e Madhe tani thonë se më pak gjumë është më shumë më mirë – për njerëzit e moshuar.

Shumica prej nesh e kanë përvetësuar atë si rregull: Një natë e plotë gjumë do të thotë tetë orë për të rriturit. Por kjo mund të mos jetë më e vërtetë pasi njerëzit arrijnë një moshë të caktuar.

Një ekip studiuesish nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti Fudan në Kinë kanë zbuluar se shtatë orë gjumë mund të jenë sasia ideale e mbylljes së syve për njerëzit e moshës së mesme dhe të ata në moshë.

Në një studim të botuar në revistën Nature Aging, studiuesit thanë se zbuluan se shtatë orë gjumë ishin më të mirat për performancën kognitive (njohëse) dhe shëndetin e mirë mendor.

Studiuesit i kanë ekzaminuar të dhënat nga gati 500,000 respondentë të moshës 38 deri në 73 vjeç dhe zbuluan se gjumi i pamjaftueshëm – por edhe i tepruar – lidhej me performancën kognitive të dëmtuar dhe shëndetin mendor më të keq.

Respondentët e studimit i raportuan modelet e tyre të gjumit dhe gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me mirëqenien dhe shëndetin e tyre mendor. Ata përfunduan një sërë detyrash njohëse që testuan shpejtësinë e tyre të përpunimit, vëmendjen vizuale, kujtesën dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Dhe ata që kishin pasur shtatë orë gjumë të pandërprerë, ia dolën më mirë.

Megjithatë, ekziston një paralajmërim: 94% e respondentëve ishin të bardhë, kështu që është e paqartë nëse rezultatet janë të vërteta për njerëzit me ngjyrë dhe prejardhje të tjera etnike ose kulturore.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është konsistenca. Rezultatet më të mira u panë tek njerëzit që treguan pak luhatje në modelet e tyre të gjumit për periudha të gjata kohore dhe që iu përmbajtën gjumit prej shtatë orësh.

Me fjalë të tjera, 4 orë gjumë përpara një takimi të madh nuk mund të “plotësohen” duke fjetur 10 orë natën tjetër.

Gjumi i ndërprerë: Rrezik për demencë

“Të bësh një gjumë të mirë gjatë natës është i rëndësishëm në të gjitha fazat e jetës, por veçanërisht kur plakemi”, thotë Barbara Sahakian, profesoreshë në Universitetin e Kembrixhit dhe bashkëautore e studimit.

Studiuesit thanë se mungesa e gjumit ka të ngjarë ta pengojë procesin e trurit për ta çliruar veten nga toksinat. Ata gjithashtu thonë se një ndërprerje e gjumit të ngadaltë ose të thellë mund të jetë përgjegjës për rënien kognitive.

Kur gjumi i thellë trazohet, ai ndikon në konsolidimin e kujtesës dhe kjo mund të çojë në akumulimin e amiloidit, një proteinë që mund të – nëse nuk funksionon siç duhet – shkaktojë “ngatërrime” në tru që janë karakteristike për disa forma të demencës.

Gjumi i pamjaftueshëm ose i tepërt mund të jetë një faktor rreziku për rënien kognitive të plakjes.

“Ndërkohë që nuk mund ta themi përfundimisht se shumë pak gjumë ose shumë gjumë shkakton probleme kognitive, analiza jonë duket se e mbështet këtë ide,” tha Jianfeng Feng, shkencëtar i trurit dhe profesor në Universitetin Fudan. “Por arsyet pse njerëzit e moshuar kanë gjumë më të dobët duket të jenë komplekse, të ndikuar nga një kombinim i përbërjes sonë gjenetike dhe strukturës së trurit tonë.”

Gjatësia e gjumit ndikon në strukturën e trurit

Studiuesit shikuan gjithashtu pamjet e trurit dhe të dhënat gjenetike, por ato të dhëna ishin në dispozicion vetëm për më pak se 40,000 pjesëmarrës.

Këto të dhëna treguan se sasia e gjumit mund të lidhet me ndryshimet në strukturën e rajoneve të trurit si hipokampusi, i cili konsiderohet qendra e kujtesës dhe mësimit të trurit, dhe korteksi precentral, i cili është përgjegjës për ekzekutimin e lëvizjeve vullnetare.

Meqenëse rreziku i zhvillimit të Alzheimerit dhe demencës – sëmundjet e plakjes që vijnë me dëmtime kognitive – është lidhur me kohëzgjatjen e gjumit, studiuesit thanë se puna e mëtejshme në fushën e shkencës së gjumit është esenciale.

“Gjetja e mënyrave për ta përmirësuar gjumin për njerëzit e moshuar mund të jetë vendimtare për t’i ndihmuar ata ta ruajnë shëndetin dhe mirëqenien e mirë mendore dhe [të tyre] ta shmangin rënien kognitive, veçanërisht për pacientët me çrregullime psikiatrike dhe demenci,” tha Sahakian./DW