Ilustrim

Shkencëtarët zbulojnë ilaçin që ndihmon në zgjidhjen e përgjumjes dhe letargjisë gjatë ditës

Ndjenja e plogësht dhe letargjike në pasdite është ndoshta e njohur për shumë njerëz, por për ata me apnean obstruktive të gjumit (obstructive sleep apnea, OSA), problemi është edhe më serioz. Për fat të mirë, shkencëtarët kanë identifikuar një ilaç që ofron një shans të mirë për të ndihmuar problemin, dhe jo, nuk është një filxhan kafe.

Gjumi i tepërt gjatë ditës (Excessive daytime sleepiness) për njerëzit me OSA mund të ndikojë seriozisht në jetën e tyre të përditshme. Njerëz të tillë kanë një nevojë dërrmuese për të fjetur në orare të papërshtatshme, për të fjetur gjatë vozitjes ose gjatë ngrënies, dhe shpesh luftojnë me kryerjen e detyrave të thjeshta.

Megjithëse një maskë me presion pozitiv të rrugëve të frymëmarrjes (positive airëay pressure, PAP) është zgjidhja standarde për ata me OSA dhe mund të ndihmojë në mbështetjen e mushkërive me ajër të kompresuar gjatë natës, ajo jo gjithmonë eliminon përgjumjen e tepërt gjatë ditës. Prandaj, shkencëtarët po punojnë për t’i identifikuar barnat që mund të ndihmojnë ata me EDS.

Shkencëtarët pretendojnë, opsione ka

Gjëja më e rëndësishme që njerëzit me OSA duhet ta bëjnë është të përdorin aparatin e tyre PAP, por nëse janë ende të përgjumur, ka opsione në formën e medikamenteve që mund ta ulin lodhjen e tyre, thotë Tyler Pitre, mjek i mjekësisë së brendshme në Universitetin McMaster, në Kanada.

Pitre dhe kolegët e tij i kanë shqyrtuar 14 prova klinike të mëparshme që përfshinin 3,085 njerëz me OSA dhe EDS, duke parë efektivitetin krahasues të tri ilaçeve kundër lodhjes: solriamfetol, armodafinil-modafinil dhe pitolisant. Të tre ishin më efektivë se placebo në luftimin e EDS, por në shkallë të ndryshme.

Duke i kombinuar të dhënat, shkencëtarët kanadezë zbuluan se solriamfetol ofronte dallimin më të madh statistikor ndaj placebos për sa i përket vigjilencës. Provat ishin më pak specifike për armodafinil-modafinil dhe pitolisant, të cilat ka të ngjarë të përmirësojnë disa, por jo të gjitha, masat e vigjilencës pas një muaji përdorimi, zbuloi ekipi kanadez. Statistikat treguan gjithashtu se efektet anësore mund të jenë një problem me armodafinil-modafinil dhe solriamfetol, megjithëse pacientët kishin më shumë gjasa tandalonin përdorimin e parë nga dy barnat.

Efekte të qarta

Megjithëse është e vështirë të përmblidhen gjetjet e provave të shumta, krahasimi tregon efekte të qarta të solriamfetolit, ndoshta si rezultat i rritjes së niveleve të norepinefrinës (përgatit trupin për veprim) dhe dopaminës (në lidhje me kënaqësinë dhe motivimin) në tru.

Autorët e studimit, i cili u botua në revistën Annals of Internal Medicine, thonë se të mirat dhe të këqijat e solriamfetolit ia vlen të hulumtohen më tej, veçanërisht për sa i përket efekteve afatgjata te njerëzit që e marrin atë, pasi ka pak prova të përdorim afatgjatë. Po kështu, ata me OSA dhe EDS nuk janë të vetmit që mund të përfitojnë nga solriamfetoli dhe medikamentet e tjera të listuara.

Do të ishte interesante të shihej se sa efektivë do të jenë këto ilaçe kundër lodhjes në trajtimin e sëmundjeve të lidhura, si sindroma e lodhjes kronike dhe COVID-i afatgjatë, tani që e dimë se ato punojnë në kushte të ngjashme, thekson Dena Zeraatkar, asistente profesoreshë e anestezisë nga universiteti i lartpërmendur kanadez.

Nevoja urgjente për të gjetur barna më të mira

Dy nga barnat e studimit janë përshkruar tashmë për OSA dhe EDS, dhe pitolisant është ende në shqyrtim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA (FDA). Cilin ilaç do të përshkruajë mjeku varet nga një sërë faktorësh duke përfshirë profilin personal shëndetësor të pacientit. Megjithatë, studimi i ri është edhe hera e parë që këto barna krahasohen në këtë mënyrë.

Me efekte anësore që potencialisht mund të jenë problem, solriamfetoli për shembull shoqërohet me një rritje të presionit të gjakut, ndaj duhet treguar kujdes. Për më tepër, me rreth një miliard njerëz të prekur globalisht nga OSA, është e qartë se ekziston një nevojë urgjente për të gjetur barna më të mira për ta trajtuar problemin e kaq shumë njerëzve në botë./Science Alert

Përgatiti: Nuhi Shala