Qytetarëve u Shkelen çdo Ditë të Drejtat e tyre

Të drejtat e njeriut në Kosovë po shkelen çdo ditë, thonë përfaqësuesit e organizatave dhe institucioneve që merret me mbrojtjen e të drejtat e njeriut.

Sipas tyre, zbatimi i pamjaftueshëm i ligjeve mbetet një problem i përhapur në të gjitha institucionet Kosovë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se janë identifikuar mangësi serioze në shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut, te disa grupe të shoqërisë.

“Bën pjesë kategoria e personave të moshuar, kategoria e fëmijëve, grave, personat me aftësi të kufizuar, të cilat pastaj i kanë mundësitë shumë më të vogla si grupe të interesit për të ndikuar edhe të Qeveria dhe te politikë-bërsitë, për realizimin e këtyre të drejtave”, thekson Jashari.

“Normal këtu nuk përjashtohen pakicat, sidomos në ketë rast komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, që në krahasim me komunitete tjera, si atë boshnjak apo serb janë në pozitë shumë me të cenuar “, tha Jashari për Radion Evropa e Lirë.

Po ashtu, edhe Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovës ka shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.

“Në Kosovë të gjitha kategorive të shoqërisë u shkelen të drejtat e njeriut. Ne kemi problem të madh me punësim, konkurse, sepse shumica e konkurseve janë dhe shpallen formalisht derisa personi është në atë vend punë. Ka shkelje të të drejtave të fëmijëve, të cilët nuk kanë mundësi të shkollohen dhe bëjnë punë të rënda që janë të ndaluar me të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve”, thekson Shala.

“Pastaj kemi shkelje të drejtave të personave me nevoja të veçanta sepse ata diskriminohen në aspektin e punësimit dhe trajtimit të tyre. Kemi shkelje të të drejtave të pakicave në aspektin e krijimit të perspektivës”, deklaroi Shala.

Ai thotë se ligjet të cilat i ka Kosova, janë të një standardi shumë të lartë. Por, këto ligje, sipas tij, nuk po mund të gjejnë zbatim dhe si rrjedhojë ka shkelje të të drejtave të njeriut.

“Kosova, sa i takon infrastrukturës ligjore nuk qëndron asgjë më keq sesa Gjermania, Finlanda, Danimarka, Suedia e vendet më të zhvilluara. Ndërsa, sa i takon zbatimit, ndoshta nuk do të mund të krahasohet as me një shtet mesatar diku në botë”, thotë ai.

“Ky është problemi se nuk ka kapacitet zbatues, as profesional e as material. Mendoj që në Kosovë kur të miratohen ligjet duhet të bëhet përshkallëzimi i tyre dhe të thuhet saktë ‘ky ligj miratohet por, zbatimi i tij, është i pamundur në këtë fazë ku gjendet Kosovë”, tha Shala.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thekson se mbetet shqetësues numri jashtëzakonisht i lartë i miratimit të ligjeve me plotësime dhe ndryshime, që në një mënyrë po paraqesin problem për zbatuesit e tyre.

Një faktor tjetër që ndikon në masë të madhe në moszbatim, nënvizon Jashari, është edhe konflikti i dispozitave ligjore, apo ligjeve dhe akteve nënligjore.

“Shumica e [ligjeve], pra mbi 55 për qind, janë ligje me plotësim- ndryshime që për çdo vit ndryshohen dhe kjo normal ndikon drejtpërdrejtë në atë që njihet si parim i sigurisë juridike, edhe për qytetarin edhe për zbatuesit e ligjit. Kjo vetvetiu pengon zbatuesit e ligjit, për ta zbatuar atë në mënyrë konsekuente”, tha Jashari.

Përfaqësuesit e organizatave për të drejtat e njeriut thonë se respektimi i të drejtave të një shoqërie lidhet ngushtë me zhvillimin demokratik që ka një shtet, si dhe me zbatueshmërinë e ligjeve dhe zhvillimin politik, ekonomik dhe social të atij vendi.

02 Shkurt 2018 - 16:13

REL 02/02/2018 - 16:13
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
Prishtina Insight
    NA NDIQNI

    Send this to a friend