Foto: KALLXO.com

Qeveria vendos për të investuar edhe më shumë në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit

Kërkesa e dy komunave për kyçje në autostradën Prishtinë- Hani i Elezit, pritet të ketë kosto shtesë për Qeverinë e Kosovës.

Ministri Pal Lekaj ka kërkuar nga kabineti Qeveritar që të miratojë kërkesën për ndërtimin e dy kyçjeve në autostradë për Komunën e Ferizajt dhe Vitisë si dhe një mbikalim në fshatin Betelinca.

“Pas përfundimit te projektit të autostrada Prishtinë- Hani i Elezit, janë edhe kërkesat e dy komunave të Ferizajt dhe Vitisë për kyçje në autostradë. Kërkoj nga Qeveria të merr vendimin për ndryshimin e dy kyçjeve të reja si dhe të mbikalimit në Betelincë me negocim me Bechtel Enka. Mjetet do të sigurohen nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Financave”, tha Lekaj para kabinetit qeveritar.

Ndërsa pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj tha se nuk dihet ende kosto.

“Ende nuk kemi një kalkulim të kostos. Është autorizuar ministria sot me i pa të githë këto aspekte”, tha ai.