Prokurori në Rastin Limaj: Korrupsioni Kancer që Dëmton Kosovën

Prokurori Charles Hardaway tha se Limaj dhe të tjerët po akuzohen për korrupsion që po e dëmton Kosovën si kancer.

Ai është duke e paraqitur fjalën hyrëse në procesin ku Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka akuzohen mes tjerash se vepruan si grup i organizuar kriminal që u dhanë tenderë kompanive që paguan për ta 20 për qind të vlerës së tenderit.

Limaj në kohën për të cilën akuzohet ishte ministër i ish-Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit.

“Kosova si shtet i ri po përballet me disa sfida, ndër të cilat me korrupsionin si kancer që po e dëmton Kosovën dhe pikërisht për shkakun e kësaj dukurie, këta pesë të akuzuar po akuzohen në këtë rast,” tha prokurori Hardaway.

Avokati Bajram Tmava tha se këto fjalë të prokurorit po tingëllojnë si fushatë politike.

Prokurori pastaj kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë për të  gjitha pikat e aktakuzës.

Aktualisht ai e përfundoi fjalën e tij hyrëse, ndërsa pas një pauze këtë fjalë do ta paraqesë mbrojtja e Limajt.

Avokati i Limajt Tahir Rrecaj tha se prokurori nuk paraqiti ndonjë fakt konkret, ndërsa u zotua se këtë mungesë faktesh do ta argumentojë me fakte në fjalën e tij hyrëse pasdite.

Fatmir Limaj më 30 tetor aktakuzën për kohën sa ishte ministër e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Dje Fatmir Limaj kishte dhimbje dhëmbi në seancë dhe për këtë arsye ajo u shty për disa orë, ndërsa kur vazhdoi, avokati i Limajt Tahir Rrecaj solli si dëshmi në gjykatë dhëmbin e hequr të Limajt.