Ndërtesa e Rektoratit të UP-së | Foto: KALLXO.com

Profesori universitar padit për shpifje ‘ADMOVERE’ pas akuzave për plagjiaturë

Emri i profesorit të Universitetit të Prishtinës, Mejdi Bektashi është në mesin e 15 profesorëve të tjerë universitarë, të cilët sipas raportit të Organizatës “ADMOVERE”, kanë kryer plagjiaturë në publikimet e tyre akademike.

Lidhur me këto dyshime, profesori Bektashi ka njoftuar se e ka paditur për shpifje  organizatën në fjalë dhe Luan Shllakun, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

“Raporti i sipërtheksuar, përveç të tjerash, ka përmbajtje shpifëse në relacion me personin tim, duke ngritur pretendime të pabazuara për kinse përvetësimin në formë të moscitimit nga teksti im universitar “Ekonomia” të librit të autorëve Paul Samuelson dhe William Nordhaus”, thuhet në reagimin e profesorit.

Në raportin e organizatës “ADMOVERE”, me titull  “Stafi Akademik i UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet e profesorëve dhe përpjesa staf-studentë e studentë-hapësirë”, thuhet se Mejdi Bektashi është profesor në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik, “i cili ka vjedhur nga përkthimi i librit të autorëve Paul Sanuelson”.

https://kallxo.com/publikohen-emrat-e-16-profesoreve-te-up-se-te-dyshuar-si-plagjiatore/

Bektashi ka bërë të ditur se në kuadër të padisë ka bërë kërkesë për masë të përkohshme të sigurisë dhe ka kërkuar dëmshpërblim në vlerë prej 250,000 euro, për secilin nga dy të paditurit.

Lidhur me padinë, me reagim ka dalë edhe organizata “ADMOVERE”, e cila ka qëndruar pas gjetjeve në raportin e tyre.

“Nëse Bektashi e mohon plagjiaturën, shtrohet pyetja pse nuk ngriti padi ndaj gazetës «Express» për artikullin me titull «Shumë plagjiaturë», të botuar më 4 shkurt 2007, në të cilin citohen paragrafë që Bektashi e Gacaferri kanë vjedhur nga Samuelson e Nardhaus, por po ngritë padi ndaj nesh si organizatë, që vetëm po e ri-sjellim në vëmendje të opinionit publik raportimin e këtij rasti”, thuhet në reagimin e Shkëlzen Gashi, drejtor ekzekutiv i organizatës “ADMOVERE”, të cilët janë shprehur të gatshëm të ballafaqohen në gjykatë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Luan Shllakun, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe po pret edhe përgjigjen e tij për këtë çështje.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë rast dhe për reagimet e profesorëve universitarë, të dyshuar për plagjiaturë dhe po punon në publikimin e reagimeve të të tjerëve.

https://kallxo.com/gjnk/flasin-profesoret-e-dyshuar-per-plagjiature-ne-up/