Protesta në Beograd kundër festivalit "Mirëdita, Dobar Dan!" - Foto: KALLXO.com

Policia serbe pengon protestuesit që kundërshtojnë festivalin ‘Mirëdita, dobar dan!'

Forca të shumta të Policisë serbe janë grumbulluar afër vendit ku do të mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan!”, në Beograd.

Siç raporton gazetarja e KALLXO.com në Beograd, pjesëtarët e Policisë po i pengojnë protestuesit të afrohen te vendi ku do të nisë festivali.

Edhe sot ashtu si dje  ka pasur një protestë  të organizuar për të kundërshtuar mbajtjen e këtij festivali.

Një grup i vogël i të rinjve këndonin këngë nacionaliste serbe si dhe mbanin mbishkrime “Kosova është Serbi”.

Njëra nga organizatoret e protestës Milica Gjurgjeviq, nga grupi politik “Zavetnici”, tha që është  e patolerueshme që Kosova të paraqitet si shtet këtu.

Ajo tha që në këtë festival do të paraqiten filma që Policinë serbe i paraqesin si terroristë mirëpo sipas saj ata nuk janë të tillë.

Filmi kosovar “Nëntori i ftohtë”  me regji të Ismet Sijarinës do të hapë edicionin e gjashtë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!’ në Beograd.

Një ngjarje e cila do t’i paraprijë hapjes së këtij festivali do të jetë performanca artistike “Let’s make love” nga Shkumbin Tafilaj.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është një ngjarje unike e cila që nga 2014 e ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd.

Ky është edicioni i gjashtë i këtij dhe nikoqir i këtij festivali kulturor është kryeqyteti i Serbisë.