Debati rreth librit "Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve" - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Në Beograd promovohet libri 'Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve'

Në ditën e dytë të festivalit kulturor “Mirëdita, dobar dan!”, në Beograd, është duke u zhvilluar debati rreth librit “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, i cili u promovua sot.

Në hapje të promovimit janë lexuar dy rrëfime të cilat janë nga dy familje që kanë familjarë të pagjetur nga lufta në Kosovë, njëra familje shqiptare nga Mitrovica e tjetra serbe nga Shtërpca.

Korab Krasniqi nga organizata ZFD, Kosovë, tregoi për punën që e kanë bërë për të sjellë këtë libër.

“Kemi fillu me idenë që të shfrytëzojmë metodën hulumtuese ‘Oral History’  për të arritur deri te këto rrëfime. Fillimisht kemi prodhuar disa ekspozita të cilat i kanë gërshetuar këto copëza. Fazën e dytë të projektit e kemi bërë një ekspozitë, e cila është hapur në Kuvend dhe kjo është bërë për t’ia bërë të ditur politikëbërësve obligimet që i kanë karshi familjarëve të të pagjeturve”, tha ai.

Tutje Krasniqi tha se në këtë libër ka edhe rrëfime të familjeve serbe të cilat kanë ende persona të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Janë 10 rrëfime, 7 nga familje shqiptare, 3 nga familje serbe. Si proces të intervistimit kemi provu me i marrë historitë e tyre jetësore duke filluar nga fëmijëria deri në momentin kur fillon lufta të marrë kuptim për ta. Te pjesa e luftës jemi fokusuar pak më shumë”, shtoi ai.

Ndërsa i pyetur se cilat janë të përbashkëtat e rrëfimeve të të pagjeturve ai tha se pavarësisht se janë dy etnitete të ndryshme ata kanë të njëjtin problem.

“Këtë libër e kemi pa si një instrument të mirë për avokimin e të drejtave të familjeve. Unë kam pasë problem me bo dallime në kuptimin e prapavijës  etnike sepse të gjitha këto familje jetojnë me të njëjtin ankth, sepse këto familje nuk kanë lënë derë pa trokitur dhe përfundimisht duket se këto familje kanë fillu me e humb shpresën”, theksoi ai.

Marijana Toma, historiane nga Serbia, vlerësoi punën e bërë për këtë libër.

Sipas saj, historitë gojore janë një mënyrë e mirë për të paraqitur të kaluarën. Ajo foli për bazën ligjore të kërkimit të të pagjeturve në Serbi.

“Problem është korniza ligjore me të cilën lidhen familjet e të pagjeturve dhe Serbia nuk e ka atë ligj. I vetmi ligj është ai që rregullohet me ligjin për civilët e luftës i cili është miratuar në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe ky ligj është i keq sepse nuk njeh familjarët e të zhdukurve si viktima”, tha ajo.

Në pjesën e dytë, të këtij aktiviteti pritet të shfaqet dokumentari “Ferdonija”, dokumentar  i cili tregon historinë e nënave që humbën familjet, djemtë dhe burrat e në luftën e dy dekadave më parë.