Policia arreston të dyshuarin për grabitje

Policia e Kosovës nga rajoni i Pejës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme kanë arrestuar një person i cili dyshohet për grabitje.

“Policia e Kosovës, hetimet rajonale pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, pas një pune intensive operativo-hetimore,  me datën 13.06.2019, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin: V. B. lindur me 1993, m/k/sh. I dyshuari i lartcekur dyshohet se ka kryer disa grabitje gjatë vitit 2018 dhe 2019, në rajonin e Pejës dhe i njëjti deri më tani ka qenë në arrati”, thuhet në njoftim.

I dyshuari sipas PK-së është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në shkurt të këtij viti, Policia kishte kërkuar bashkëpunim nga mediat dhe qytetarët për të identifikuar një person i cili dyshohet për grabitje me armë gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti.

“Gjatë zhvillimit të hetimeve nga ana e sektorit të hetimeve rajonale DRP-Pejë, në disa raste të ‘grabitjeve me armë’ që kanë ndodhur gjatë vitit 2018 dhe 2019, janë siguruar disa foto dhe video të një personi të dyshuar, i cili për momentin është i paidentifikuar, i panjohur për Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e forcave të rendit.

Policia e Kosovës ka publikuar edhe disa fotografi dhe një video ku shihet i dyshuari me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për identitetin e personit të dyshuar në fotot dhe videot e bashkangjitura të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftimin e policisë.