Gjykimi i Besim Zeqirit - Foto: KALLXO.com

Parashkruhet lënda, lirohet i akuzuari për sulm ndaj policit

Gjykata e Mitrovicës ka shpallur aktgjykim refuzues për të pandehurin Besim Zeqiri, i akuzuar për sulm ndaj zyrtarit të Policisë.

Gjyqtari Bekim Veliqi njoftoi palët prezente se sipas kualifikimit ligjor pasi që për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, përcaktohet dënimi prej tre muajve deri në tri vjet, e duke marrë për bazë se vepra penale është kryer më 27 qershor 2012, sipas tij, konstatohet se më 27 qershor 2018 është arritur parashkrimi absolut në këtë çështje penale.

Veliqi tha se kjo ka ndodhur përkundër faktit se nga ana e Gjykatës ishin ndërmarrë të gjitha veprimet siç ishte konstatuar në shkresat e lëndës.

Para këtij vendimi të gjyqtarit, mbrojtësi i të akuzuarit Zeqiri, avokati Ruzhdi Maloku, ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të hiqet dorë nga ndjekja penale pasi që sipas tij për këtë çështje kishte arritur parashkrimi absolut.

Gjithashtu, avokati Maloku nga Gjykata kërkoi që për shkak të parashkrimit, ndaj të mbrojturit të tij të tërhiqet edhe urdhërarresti i lëshuar.

Edhe  prokurori i rastit, Sllobodan Bakiq, u shpreh se tërhiqet nga aktakuza dhe ndjekja penale, pasi që sipas tij, në këtë rast është konstatuar se kemi të bëjmë me parashkrim absolut.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Besim Zeqirin se në qershor 2012, në Mitrovicë, konkretisht në fshatin Kçiq i Madh, pasi që paraprakisht zyrtarët policorë, Besnik Maxhuni, Tomisllav Dimiq dhe Fatmir Uka kanë qenë të informuar për qarkullimin e dy veturave të kontrabanduara, njëra e markës “Audi” dhe tjetra “Seat”,  me ç’rast vetura e markës “Seat” është gjetur  në Vushtrri dhe me t’u kthyer në Mitrovicë, te pompa e derivateve të naftës “Kosova Petrol”, i akuzuari Besim Zeqiri i afrohet veturës së policit Besnik Maxhuni dhe provon ta godasë por ky i fundit arrin që t’i shmanget goditjes.

Me këtë, Besim Zeqiri akuzohej se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.