OVL e UÇK-së kërkon të mos suspendohen policët invalid të luftës

OVL UÇK në Pejë, po kërkon nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që të mos suspendojë nga puna policët dhe oficerët e PK-së (ish Ushtar të UÇK-së), sipas propozimit të bërë nga Inspektorati i Policisë, vetëm për shkak se ata marrin pension invaliditeti të luftës.

“Ne kërkojmë që këta policë të amnistohen, të paktën deri sa Komisioni Mjekësor Invalidor i formuar në fund të vitit 2017, të rivlerësojë gjendjen e tyre shëndetësore dhe të rivlerësojë shkallën e tyre të invaliditetit”, thuhet në reagimin e OVL  UÇK.

Secili invalid i luftës, përfshirë edhe ata që deri më tani gëzojnë pension Invalidor, sipas kësaj organizate, do të vlerësohet para këtij komisioni.

“Ne jemi optimist se shumë bashkëluftëtarë, tani më janë shëruar dhe gëzojnë shëndet të mirë. Ne shpresojmë që Drejtoria e Policisë, do e pres vendimin e rivlerësimit të tyre nga Komisioni Mjekësor, para se të marrë çfarë do vendimi në lidhje me çështjen”, thuhet më tej në reagim.

Policia në Pejë ka suspenduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës me arsyetimin se ata marrin pension invalideti të luftës.