FOTO ILUSTRIM

Një vit burg të akuzuarit për vjedhje të parave në Prizren

Për një vjedhje që kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Themelore në Prizren e gjeti fajtor dhe dënoi me 1 vit burg efektiv.

Në një njoftim të Gjykatës Themelore të Prizrenit bëhet e ditur se përpos dënimit me burg, i akuzuari u dënua edhe me gjobë.

“Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti  i Përgjithshëm Penal ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit   me iniciale F.B. nga Prizreni, dhe e ka shpallur fajtor për shkak se ka kryer  veprën penale vjedhje e rëndë, dhe i ka shqiptuar dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, si dhe dënimin me gjobë në shumën prej 300,00 (treqind) euro”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ky dënim ndaj të akuzuarit u shqiptua pasi që sipas aktakuzës, më datë 21 dhjetor 2015, rreth orës 22.00 në Prizren në lokalin “Apetit” duke vepruar së bashku me një të mitur, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kryejnë vjedhjen, në atë mënyrë që pas planifikimit paraprak duke e shfrytëzuar orët e natës, shkojnë në lokalin e të dëmtuarit dhe duke vepruar me forcë i pandehuri me iniciale F.B. e thyen derën e lokalit derisa i mituri qëndron te dera e lokalit për të bërë roje dhe nga aty marrin shumë të konsiderueshme  parash.

Dënimi i shqiptuar nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.