Trajneri i Feronikelit: Sot nuk humbëm asgjë tjetër përveç ndeshjes

Trajneri i Feronikelit, Zekirja Ramadani, ka folur pas humbjes së sotme nga Prishtina me rezultat 1-0.

Ramadani ka thënë se në ndeshjet derbi si sot vendoset vetëm nga një gol.

“Gjithmonë në derbi vendoset nga një gol… Derbin e fiton ekipi që bën më pak gabime. Ne u munduam të bëjmë pak gabime dhe mendoj që na ndëshkuan nga një gjysmë rasti, pastaj në fund edhe fati nuk ishte me ne”, tha trajneri i klubit nga Drenasi.

Ai thotë se kishin raste që ta barazonin rezultatin, por nuk ia arritën dhe i vjen keq për këtë humbje.

“Kishim raste  për ta barazuar rezultatin që do të ishte shumë mirë nëse do të kishim arritur të barazojmë, por ja që nuk u barazua, më vjen keq për humbjen por ne duhet të tregohemi profesionistë. Kemi për katër ditë ndeshje tjetër dhe normal nga dita e nesërme duhet të përgatitemi për Ferizajn”, ka thënë trajneri i Feronikelit.

Tutje Ramadani thekson se nuk e kanë humbur titullin, pasi sipas tij e kanë humbur vetëm ndeshjen.

“Sot humbëm ndeshjen, nuk e humbëm asgjë tjetër, e humbëm vendin e parë. Në disa momente ose nga eksperienca si futbollist që e kam pasur, gjithmonë kur kemi qenë në vend të dytë kemi qenë më të rrezikshëm se sa kur kemi qenë lider në tabelën e klasifikimit, shpresoj që edhe këtë radhë të jetë ashtu”, deklaroi ai.

Prishtina e mposht Feronikelin dhe ia rrëmben vendin e parë (Foto)

www.kallxo.com