Foto: Federata e Basketbollit të Kosovës

Shkaku i tatimeve të komunës, KB Rahoveci tërhiqet nga organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës

Klubi i Basketbollit “Rahoveci” ka njoftuar se është tërhequr nga organizimi i dy ndeshjeve ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, asaj kundër Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut, për shkak të rregullores të komunës së Rahovecit, e cila kërkon 20 % të të hyrave të biletave dhe 40% të fitimeve nga sponsorët.

“Të nderuar, duket se ky rrugëtim i suksesshëm ka filluar dikujt t’i pengoj gjatë rrugës. E gjitha ka nisur me diskutime për rregulloren dhe mirëmbajtjen e shtëpisë sonë, palestrës e cila është jashtë çdo standardi dhe etike për të ndihmuar klubet në zhvillimin e tyre. Dhe si për ironi, kjo rregullore u votua nga asamblistët e Kuvendit Komunal në Rahovec, vetëm një ditë pas arritjes së finales historike në Superligë. Të nderuar, bordi i KB Rahoveci është në diskutim të kësaj çështje pothuajse nga dita e parë, përkundër angazhimeve të shumta që ka pasur rreth kampionatit u ka bërë me dije çdo herë autoriteteve lokale se ky dokument është i pa pranueshëm dhe shumë i dëmshëm për klubet në Komunën tonë” thuhet në njoftimin e KB Rahovecit.

Më tutje në njoftim thuhet se bordi i klubit në diskutimet e vazhdueshme ka propozuar që palestra të menaxhohet në mënyrë të përbashkët nga klubi dhe komuna, kurse e konsiderojnë vendimin e fundit për rregulloren se nuk i takon bashkëpunimit të sinqertë.

“Për këto arsye bordi i KB Rahovecit në shenjë mos pajtimi më këtë vendim të Kuvendit Komunal është tërhequr nga organizimi i dy ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës, ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut. Për këtë vendim janë të njoftuar edhe autoritet e FBK-së. Bordi i KB Rahoveci i bënë thirrje Kuvendit Komunal që të tërheqë menjëherë këtë rregullore përpara se të merren veprime të tjera të cilat mund të dëmtojnë edhe më shumë të ardhmen e sportit dhe zhvillimin e klubeve”, thuhet në përfundim të njoftimit.