Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti shpreh keqardhje që s’është në ‘Fadil Vokrri’

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti u ka dhënë mbështetje klubeve të futbolli Dritës dhe Gjilani në ndeshjen e sontme në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtine.

Kurti përmes Facebook-ut ka njoftuar se tifozët e të dyja ekipeve e kanë ftuar ta përcjell këtë ndeshje, por ai nuk do të mundet të jetë në stadium.

“Tifozët e dy klubeve të futbollit nga i njëjti qytet, ata të Dritës dhe ata të Gjilanit, sot do të përballen në një derby, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Miq të mi, tifozë nga të dyja grupet më kanë ftuar të shkoj në stadium për ta përcjellë lojën, por sot nuk mundem për shkak se do të jem në Kumanovë, në një tubim mbështetës për Prof. Blerim Rekën, kandidatin për President në Maqedoni”, është shprehur ai.

Kurti ka shtuar se nuk e përcjell shpesh futbollin nga stadiumet për shkak të organizimit.

“Ua uroj të dyja tifozerive një lojë sa më të bukur dhe plot emocion, siç dinë të jenë derby-t. Unë nuk e përcjell shpesh futbollin prej stadiumeve, për shkak të punëve në organizim, megjithatë premtoj se do të gjej patjetër kohë të vij në derby-n e radhës, në respekt të këtyre futbollistëve e  skuadrave cilësore, por edhe në respekt të kulturës së tifozerisë të dy grupeve rivale”, ka përfunduar i pari i VV-së.

Gjilani e Drita ndeshen sonte në kuadër të Superligës së Kosovës.