Klopp: Ishte një ndeshje e vështirë, kundërshtar e kishim edhe erën e fortë

Liverpool sot barazoi me Evertonin në kuadër të xhiros së 29-të në Premierligë. Barazim ky që i kushtoi me humbjen e vendit të parë.

Pas ndeshjes trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, deklaroi se kishin edhe një kundërshtar më tepër në fushë duke iu referuar erës së fortë.

“Është OK. Ishte një ndeshje e vështirë për arsye të ndryshme dhe kishim një kundërshtar tjetër në fushë. Era vinte nga të katër anët dhe nuk ndihmoi askënd. Ishte një ndeshje e vështirë për t’u kontrolluar dhe kishim tre-katër mundësi të mira me Salah dhe Fabinho, ndërsa nuk mbaj mend ata të kishin ndonjë rast“, ka deklaruar gjermani pas ndeshjes.

Klopp tha se barazimi ndaj Evertonit nuk ishte rezultati që e deshën, por megjithatë ata e ruajten bilancin pozitiv ndaj Evertonit.

“Është një barazim dhe ruajmë pathyeshmërinë ndaj tyre. Nuk ishte rezultati që donim, por ishte një ndeshje e vështirë. Tifozët mund të shtyjnë lojtarët tanë drejt fitores, jo vetëm në këtë ndeshje, por në çdo ndeshje. Ata ishin lojtari i 12-të në fushë dhe pres 80% të kësaj për ndeshjen e radhës“, ka thënë Klopp.