Dr. Artizana Dushi - Dermatologe

Këshillat e Mjekut: Pasojat e ekspozimit të tepruar në diell - VIDEO

Me tentimin për të marrë ngjyrë më të errët të lëkurës në stinën e verës rritet edhe rreziku për dëme në shëndet.

Nëse rrezitja nuk bëhet si duhet pasojat mund të jenë të mëdha, thotë për KALLXO.com dermatologia Artizana Dushi.

Sipas Dushit, rrezitja artificiale është po ashtu shumë e rrezikshme.

“Solariumet janë jashtëzakonisht të dëmshme është vërtetuar shkencëtarisht se përdorimi i solariumeve shkakton melaomen malinje” thotë ajo.

Numri i pacientëve me djegie nga dielli, po ashtu, është i madh sipas dermatologes

“Në praktikën tonë të përditshme si mjek shohim një numër të madh të djegieve të shkaktuara si pasojë e mosrespektimit të orarit, teprimi i ekzspozimit ndaj rrezeve të diellit shkakton dëmtime në lëkurë të cilat më vonë qojnë në paraqitjen e kancerit të lëkurës” thotë ajo.

Sipas saj, ekziston një kategori e njerëzve që pësojnë më shumë djegie dhe kjo si pasojë e dëshirës për të fituar ngjyrë sa më shpejtë ndërsa simptomat nga djegia janë të ndryshme.
“Zakonisht janë moshat e reja të cilat me çdo kusht kanë dëshirë që të marrin ngjyrë sa më shpejtë. Vjen deri te dehidrimi i organizmit, rritja e temperaturës trupore të gjitha simptomat që e përcjellin edhe një djegie të zakonshme” thotë Dushi.
Dushi tregoi edhe për mënyrat e trajtimit spitalor dhe jospitalor të djegies.

“Trajtohen ashtu që disa raste të rënda i hospitalizojmë trajtojmë me infuzione që të rehidratohet organizmi, me lyerje emusione hidratuese që të kthehet prapë elasticiteti i lëkurës. Ekspozimi i personave me sëmundje kronike në rreze të diellit mund të jetë edhe vdekjeprurës e sidomos te njerëzit që vuajnë nga sëmundje kardiovasukale pra të sëmundjeve të zemrës ata duhet të kenë shumë kujdes gjatë stinës së verës sepse çdo ekspozim i tepruar mund të përfundojë fatalisht”

Dushi rekomandon që kujdes të tregohet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët si kategori më  të rrezikuara.
“Gratë shtatzëna duhet të kenë kujdes sepse nxehtësia e shkakton zgjerimin e enëve të gjakut dhe është mirë të bëjnë shëtitje në plazh në orët e hershme të mëngjesit dhe ekspozimin në diell ose ta bëjnë para orës 10 në mëngjes apo pas orës gjashtë apo shtatë në mbrëmje. Fëmijët  e vegjël duhet të lyhen me krem me faktorë mbrojtës që janë adekuat për moshën e tyre, duhet të vishen me rroba të lehta të bardha, të mbajnë kapele në kokë dhe të rrinë nën hije”, thotë ajo.

Ajo sugjeron që kremat mbrojtës të zgjidhen sipas llojit të lëkurës.

“Zgjedhjen e kremës adekuate për rrezitje duhet të përshtatet me tipin e lëkurës, grupmoshës, për fëmijë janë krema të tjera me faktorë mbrojtës për të rritur llojet e tjera të kremrave poashtu duhet t`i përshtatemi tipit të lëkurës për shembull fytyrat e prirura për akne e kanë llojin e veçantë, për njerëzit me dermatite, ekzema me sëmundje të lëkurës secili duhet të përzgjedh llojin e vet të kremës që duhet të mbrohet gjatë stinës së verës “, tha ajo.