Hiperprolaktinemia, shkaktarët dhe trajtimi i saj

 

Çfarë është Hiperprolaktinemia, cilët janë shkaktarët dhe si diagnostikohet dhe trajtohet?  

Si ndikon në shëndetin e njeriut dhe çfarë simptomash shfaqen tek një person nëse është prekur nga Hiperprolaktinemia?

Për të gjitha këto në vijim mund të lexoni këshillat profesionale nga Dr.Miranda Selmanaj-Rama – Endokrinologe.

 

Hormoni i prolaktinës sintetizohet dhe sekretohet nga qelizat laktotrofe të gjëndrës së përparme të hipofizës.

Nivelet e prolaktinës kontrollohen nga hormone të tjera të quajtura faktorë frenues të prolaktinës (PIF), të tilla si dopamina. Gjatë shtatzënisë, niveli i prolaktinës rritet.

Nivelet e larta të prolaktinës nxisin trupin të prodhojë qumësht për ushqyerjen me gji. Te gratë që nuk janë shtatzëna, prolaktina ndihmon në rregullimin e ciklit menstrual. Tek meshkujt, prolaktina ndikon në prodhimin e spermës.

Kur sasia e prolaktinës në serum e kalon kufirin e sipërm, e quajmë hiperprolaktinemi. Hiperprolaktinemia është një gjendje ku në gjakun e femrave që nuk janë shtatzëna dhe tek burrat ka vlera të larta të prolaktinës.

Hiperprolaktinemia është relativisht e zakonshme tek fermat, që mund të paraqet problem për të mbetur shtatzënë ose gjinjtë e tyre mund të fillojnë të prodhojnë qumësht jashtë shtatzënisë (galaktorrea).

Nivelet e larta të prolaktinës ndërhyjnë në prodhimin normal të hormoneve të tjera, si estrogjenit dhe progesteronit. Kjo mund të ndryshojë ose të ndalojë ovulimin (lëshimin e një veze nga vezorja).

Gjithashtu mund të çojë në menstruacione të parregullta ose mungesë të tyre. Disa femra kanë nivele të larta të prolaktinës pa asnjë simptomë.

Shkaktarët

Shkaqet e zakonshme të hiperprolaktinemisë mund të jenë fiziologjike, patologjike ose të shkaktuara nga ilaçet.

Hiperprolaktinemia fiziologjike është kalimtare dhe adaptive, kurse hiperprolaktinemia patologjike dhe farmakologjike janë simptomatike me pasoja të padëshiruara afatgjata.

Shkaqet fiziologjike me të zakonshme të hiperprolaktinemisë mund të jenë: shtatzënia, gjidhënja, ushtrimet, stresi (hipoglikemia, infarkti i miokardit, operacioni), konvulsionet, gjumi, marrëdhëniet seksuale.

Shkaqet patologjike janë: sëmundja e hipofizës, prolaktinoma (Prolaktinoma është adenoma më e zakonshme sekretuese e hipofizës. Karakterizohet nga shumimi i qelizave laktotrofike në gjëndrën e përparme të hipofizës. Ajo përbën deri në 40% të të gjitha adenomave të hipofizës), acromegalia, sëmundja Cushing, makroadenoma (kompresive), hipofiziti limfocitar, masa paraselare, makroprolaktinemia, sëmundja hipotalamike.

Shkaqet farmakologjike: një grup i madh ilaçesh mund të rrisë nivelin e prolaktinës si:

Antipsikotikët: Haloperidol, Klorpromazine, Tioridazine, Tiotiksen, Risperidone, Amisulpride Molindone, Zotepine.

Ilaçet kundër depresionit: Amitriptyline, Desipramine, Clomipramine, Amoxapine, Sertraline, Fluoxetine, Paroxetine, Pargyline, Klorgyline.

Agjentët antiemetikë: metoklopramid, domperidon, proklorperazinë.

Antihipertensivë: Verapamil, metildopa, labetalol.

H 2 Antagonistët: Cimetidine, ranitidine.

Aanalgjezikët opioidë: Metadon, morfinë, apomorfinë, heroinë.

Çrregullimi sistemik: Hipotiroidizmi primar, dështimi kronik i veshkave, sëmundja e vezoreve policistike, cirroza e mëlçisë, trauma të murit të kraharorit, herpes zoster.

Hiperprolaktinemia idiopatike.

Shenjat dhe simptomat e shkaktuara nga prolaktina e lartë

Pacientët me hiperprolaktinemi mund të mbeten asimptomatikë ose mund të shfaqin shenja dhe simptoma të mosfunksionimi riprodhues dhe galaktores.

Të femrat mund të paraqiten çrregullime menstruale ose infertilitet, galaktorrea (shumica e grave që kanë hiperprolaktinemi mund të mos kenë galaktorre), masë të ulët kockore.

Tek meshkujt, nivelet e larta të prolaktinës mund të shkaktojnë, gjinekomasti (zmadhimi gjoksit te meshkujt), galaktorre, impotencë (mosfunksionim erektil si rezultat i hipogonadizmit të shkaktuar nga sekretimi i reduktuar i LH dhe FSH), ulje të dëshirës seksuale dhe infertilitet. Një burrë me hiperprolaktinemi të patrajtuar mund të prodhojë më pak spermë ose të mos ketë fare spermë.

Nëse prolaktinoma është e madhe (dmth makroadenoma më e madhe se 1 cm), pacienti mund të paraqitet me simptoma kompresive. Shenjat dhe simptomat e shkaktuara nga efekti masiv janë: dhimbje koke, defekt i fushës vizuale.

Diagnoza

Mjeku klinik fillon vlerësimin e hiperprolaktinemisë së dyshuar me nivelin e prolaktinës në serum. Koha ideale për të matur prolaktinën është gjatë orëve të mëngjesit dhe në gjendje esull.

Nëse prolaktina në serum është e ngritur, hapi tjetër është të përcaktohet shkaktari, përjashtimi i shkaqeve fiziologjike, farmakologjike dhe sistemike.

Analizat laboratorike

Në përgjithësi nevojiten analizat e mëposhtme në varësi të gjinisë, moshës dhe paraqitjes klinike:

Prolaktina në serum,

Analizat e funksionit të tiroides,

Analizat e funksionit të veshkave,

Faktori i rritjes i ngjashëm me insulinën-1 (IGF-1),

Hormoni adrenokortikotrofik (ACTH),

Hormoni luteinizues (LH),

Hormoni folikul-stimulues (FSH),

Testosterone/estradiol,

Test shtatzënie

Makroprolaktina,

Imazhi i rezonancës magnetike (MRI) me contrast i hipofizës.

Trajtimi/menaxhimi

Trajtimi i hiperprolaktinemisë varet nga shkaku.

Hipotiroidizmi

Pacienti duhet të trajtohet me terapi zëvendësuese të tiroides dhe të konfirmojë normalizimin e nivelit të prolaktinës pas trajtimit.

Hiperprolaktinemia e shkaktuar nga barnat

Trajtimi është i nevojshëm vetëm nëse pacientët zhvillojnë shenja të mosfunksionit riprodhues, osteoporozë ose galaktorre shqetësuese. Nëse dyshohet për hiperprolaktinemi për shkak të barnave, duhet të ndërpritet përkohësisht, nëse është e mundur, për të parë nëse niveli i prolaktinës normalizohet. Nëse mjekimi nuk mund të ndërpritet, veçanërisht antipsikotikët, ai duhet të ndryshohet në një tjetër antipsikotik që nuk e rrit prolaktinën. Nëse kjo nuk është e mundur, duhet të merret parasysh shtimi i agonistëve të dopaminës. Këto ndryshime duhet të bëhen në konsultim me një psikiatër.

Hiperprolaktinemia idiopatike

Hiperprolaktinemia idiopatike trajtohet me agonistin e dopaminës. Doza mund të rregullohet për të mbajtur dozën më të ulët të mundshme me nivelin normal të prolaktinës. Nëse pacienti arrin prolaktinë normale në dozën më të ulët të një agonisti dopamine për 2 vjet, ilaçi mund të ndërpritet si provë.

Makroprolaktinemia

Nuk kërkon trajtim.

Prolaktinoma

Ka trajtim mjekësor, kirurgjik dhe me rrezatim.

Trajtim mjekësor

Udhëzuesi i shoqatës së endokrinologëve rekomandon kundër trajtimit me një agonist dopamine për mikroadenoma asimptomatike, por rekomandon terapi me agonist dopamine për të ulur nivelet e prolaktinës, madhësinë e tumorit dhe normalizimin e funksionit gonadal për pacientët simptomatikë me mikroadenoma ose makroadenoma

Terapia me agonist të dopaminës mund të zvogëlohet dhe të ndërpritet pas 2 vitesh terapi të vazhdueshme nëse niveli i prolaktinës në serum është normal dhe nuk shfaqet adenoma në imazhin e rezonancës magnetike (MRI).

Kirurgjia/Trajtimi me rrezatim

Shumica e prolaktinomave trajtohen vetëm me terapi mjekësore. Kirurgjia dhe radioterapia janë të rezervuara për ata që janë rezistent ndaj terapisë mjekësore me agonistët e dopaminës.

Dr.Miranda Selmanaj-Rama – Endokrinologe