Foto: Kallxo.com

Drejtuesit e KB Prishtina shpresojnë në kualifikimin në fazën e tretë të FIBA Challenge CUP

Drejtues të klubit të basketbollit Prishtina kanë shfaqur shpresën se do të kualifikohen në garën e FIBA Challenge CUP pas ndeshjes së nesërme me ekipin turk Pinar Karsiyaka që luhet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë nga ora 19:00.

Në një konferencë për media, trajneri Damir Mullaomeroviq ka thënë se kjo ndeshje është e rëndësisë së madhe jo vetëm për Prishtinën por edhe për të gjithë qytetin.

“Para së gjithash ju falënderoj të gjithëve që keni  ardhur. Unë shoh shumë gazetarë dhe të gjithë e dinë rëndësinë e kësaj loje. Ne kemi nevojë për të fituar kundrejt Karsiyakas dhe do të kualifikohemi,  gjë që do të jetë e madhe për Kosovën, për ligën, për Prishtinën dhe për të gjithë qytetin”, tha Mullaomeroviq.

Trajneri i bardhekaltërve tha po ashtu se ekipi i tij është gati të luftojë deri në fund dhe beson tek lojtarët e tij.

“Gjithkush e njeh rëndësinë e kësaj loje kështu që ne do  të jemi gati për të luftuar deri në fund. Ne po luajmë kundër një ekipi shumë të mirë, një ekipi të mrekullueshëm, i cili  ka buxhet disa milionësh por kjo gjë nuk do të bëjë dallimin. Unë besoj në lojtarët e mi. Dy nga lojtarët më të rëndësishëm i kemi në ekip kështu që ne do të jemi gati dhe ne do të jemi gati të luftojmë deri në momentin e fundit dhe të përpiqemi të fitojmë dhe të bëjmë suksesin më  të madh në basketbollin e Kosovës ndonjëherë”, ka theksuar ai.

Edhe kapiteni Edmond Azemi beson se do të shënojnë fitore dhe të kualifikohen për raundin e tretë të FIBA Challange CUP.

Ai po ashtu u bëri thirrje “Plisave” që t’i përkrahin në numër sa më të madh.

“Ju e dini rëndësinë e kësaj loje, sepse nëse e fitojmë këtë lojë kualifikohemi në raundin e tretë. E kemi një ekip që ka eksperiencë në këto gara, plus është ekip që i ka marrë edhe dy përforcime këtë javë. Ata normal që e kanë siguruar raundin e tretë, por prapë se prapë ata do të luftojnë sepse janë profesionalistë”, tha Azemi.

Më tutje, kapiteni i klubit tha se për shkak të rëndësisë së lojës janë përgatitur për të fituar.

“E lypim përkrahjen edhe nga tifozët nga ‘Plisat’, me ardhë në numër shumë më të madh, me e përkrah ekipin e tyre dhe besoj që me përkrahjen e tyre do të zhvillojmë një lojë të bukur, me dhanë maksimumin prej vetes dhe besoj që do të fitojmë”, tha Edomond Azemi.

E njëri prej lojtarëve më të mirë te Prishtina, Dardan Berisha, është tejet optimist për ndeshjen e nesërme.

Ai potencoi se edhe pse e kanë një kundërshtar shumë të vështirë nesër, ata besojnë në fitore dhe kualifikim.

“E thanë edhe trajneri edhe kapiteni që rëndësia e kësaj loje dihet. Po luajmë për gjithçka, veç na duhet fitore për t’u kualifikuar. Në fillim na u ka dukur si ëndërr kur kemi hyrë në raundin e dytë, na u ka dhënë shansi. Definitivisht duhet ta shfrytëzojmë këtë shans, që është historik për basketbollin kosovar. Po luajmë kundër një kundërshtari shumë të fortë. Para dy viteve kanë qenë kampionë të Turqisë, kanë luajtur në Euroligë, kanë traditë në basketboll. Kanë ekip shumë të fortë edhe lojtarët vendor i kanë shumë të mirë edhe lojtarët e huaj, kështu që definitivisht ka me qenë e vështirë për neve”, tha Dardan Berisha.

Prishtina pozicionohet e fundit në Grupin I, ku nga pesë ndeshja ka pësuar katër humbje dhe një fitore.

Në rast të fitores, Prishtina ka mundësi që të kualifikohet për raundin e tretë në FIBA Challange CUP.

Megjithatë, gjasat që Prishtina të kualifikohet janë goxha të vogla.

Kjo për arsye se Prishtina është në vendin e fundit me 6 pikë dhe do të luajë me Pinar Karsiyakan, ekip që është në vendin e dytë në grup me 8 pikë dhe e ka siguruar kualifikimin për raundin tjetër.

Tjetër vështirësi për Prishtinën është se Szolnoki Olaj do të luajë me s.Oliver Wurzburgun, skuadra gjermane e cila e ka siguruar kualifikimin për raundin tjetër me 10 pikë dhe pozicionohet në vendin e parë.

Këtu ekziston mundësia që qëndron Szolnoki Olaj, mund të shënojë fitore, pasi gjermanëve nuk u duhet fitorja dhe mund të luajnë të relaksuar me ekipin e dytë.

Tjetër fakt interesant është se kualifikimi i Prishtinës varet edhe prej Champions Leagues në basketboll.

Ato ekipe të cilat nuk arrijnë të kualifikohen për fazën tjetër të Champions Leagues, kanë të drejtë të luajnë në FIBA Challange CUP, por kjo varet prej dëshirës së tyre, pra mund edhe të vendosin që të mos luajnë.

Pra, fati i KB Prishtinës varet nga shumë faktorë, të cilat e bëjnë të vështirë kualifikimin.