Lluka insiston në privatizimin e Telekomit, Albulena Haxhiu kërkon shkarkimin e tij

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancën e jashtëzakonshme për gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës së vitit 2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka treguar për dy letrat që do ta vulosin të ardhmen e Telekomit dhe si dhe Z-mobile.

“ Sa i përket raportit mes Telekomit dhe Dardafonit janë dy gjëra që përcaktojnë të ardhmen, e para duhet të bëhet një ekspertize nga katër kompanitë financiare në botë, që do të bëhet një matricë financiare për ta vlerësuar dëmin apo mos dëmin që kontrata shkakton për Telekomin, e dyta duhet të bëhet një interpretim ligjor nga ekspert të jashtëm, dhe këto dy letra do të vendosin të ardhmen mes Telekomit dhe Z-mobile, tha Lluka.

Sipas tij ndërhyrjet politike nuk i kontribuojnë fare gjendjes në këtë ndërmarrje publike.

“Çdo ndërhyrje tjetër politike e drejtpërdrejtë e rrezikon një arbitrazh të dytë ku ne jemi të pambrojtur, kjo është qëndrimi zyrtarë që duhet të presim deri më 31 korrik sa i përket rregullimit të marrëdhënieve me Z-mobile”, tha ai.

Tutje ministri Lluka insistoi se ‘shpëtim’ për Telekomin është privatizimi i kësaj ndërmarrjeje.

“Sa i përket qëndrimit tim dhe të qeverisë, hapat e ardhshëm janë, ristrukturimi, rritja e vlerës së Telekomit dhe privatizimi, për mua asgjë tjetër nuk ka vlerë sepse mendoj që privatizimi është forma e duhur për ta mbajtur një ndërmarrje si Telekomi në gjendje të mirë, ne do të mbesim aksionar 49 për qind aksione do të kemi ne si qeveri, mirëpo 51 duhet të privatizohet”, theksoi ai.

Mirëpo në këto deklarime reagoi deputetja Albulena Haxhiu e cila tha që është e shqetësuese  që ministri nuk ka qëndrim për dëmin e kontratës së Telekomit me Z-mobile.

“Një ministër i tillë, duhet të shkarkohet, sepse nuk ndërmerr veprime karshi kërcënimeve që një kompani i bën Telekomit të Kosovës, qeveria është 100 për qind aksionar. Telekomi operon me humbje, si është e mundur që Bechtel Encha-s lehtësisht  ia jepni 53 milion euro dhe kur është fjala me e mbrojtë një gjigand ekonomik ju nuk veproni”, tha ajo.

Në kundër replikën e tij, Lluka tha që nuk duhen të nguten me deklarime por duhet të presin opinionin e ekspertëve të jashtëm për vlerën e kontratës me Z-mobile

“ Ne duhet të bazohemi në trupa profesional sa i përket kontratës, prandaj kemi marrë vendim për krijimin e një grupi të jashtëm ligjor, prandaj nuk guxojmë të ngutemi në këtë aspekt”, tha ai.