Lista Serbe në takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq (Arkiv) - Foto: REL

Lista Serbe merr vendim për zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës

Përfaqësues të Listës Serbe kanë vendosur që të marrin pjesë në zgjedhjet e 19 majit për kryetarë të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Këtë vendim, drejtuesit e Listës Serbe e kanë marrë pas takimit të sotëm në Beograd që e kanë mbajtur me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Morëm vendim të dalim në zgjedhje në mënyrë që të mos e lejojmë që ndonjë shqiptar ta marrë postin. Si do të veprojmë më tej, këtë do ta vendosim më vonë”, tha kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq duke lënë të hapur mundësinë që të zgjedhurit eventualë në krye të këtyre komunave të mos e ushtrojnë funksionin e kryetarëve.

“Çdo vendim do ta marrim konsultim me Presidentin Vuçiq”, tha ai.

Më herët, Vuçiq ka thënë se ai preferon që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të thirrura nga Presidnti Hashim Thaçi të mbahen më 19 maj.

Vuçiq tha në Beograd se ata që zgjedhën mund të japin dorëheqje menjëherë pas zgjedhjes.