Vrasja e Oliver Ivanoviqit, Gjykata has vështirësi në kontaktimin e dëshmitarëve me adresa në veri dhe në Serbi
Gjykata Themelore e Prishtinës tha që ftesat ndaj dëshmitarëve në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së politikanit Serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit, nuk po arrijnë në veriun e Kosovës dhe po injorohen nga Serbia.
Valon Kurtaj, kryetari i trupit gjykues në gjykimin e të akuzuarve për përfshirje në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në 2018, tha se gjykata po has në një sërë vështirësish për kontaktimin e dëshmitarëve që jetojnë në veriun me shumicë serbe të Kosovës apo në Serbi.
“Kemi probleme me postën në veri”, tha Kurtaj pasi avokatët u ankuan që dëshmitarët e të martës nuk ishin ata që ishin paralajmëruar.
Kurtaj shpjegoi që gjykata ka dërguar ftesa për paraqitje në seancë, por nuk ka marrë konfirmime nga disa dëshmitarë, kryesisht sepse Posta e Kosovës ka probleme me dërgesat në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“S’mund t’i rregulloj problemet e postës…, mundem vetëm të dërgojë ftesat”, tha gjykatësi Kurtaj.
Ai shtoi se një problem tjetër është edhe mungesa e bashkëpunimit nga autoritetet në Serbi, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës apo ligjshmërinë e sistemit të saj gjyqësor.
“Disa dëshmitarë jetojnë në Vojvodinë [rajon në Serbi] dhe [ftesat për të dëshmuar] shkojnë nëpërmjet Ndihmës Juridike Ndërkombëtare, që Serbia nuk bashkëpunon me ne”, shpjegoi Kurtaj.
“Dëshmitarët që mundemi t’i sigurojmë po i sjellim, deri sa t’i shterojmë këta. Pastaj shohim [çfarë të bëjmë për dëshmitarët e mbetur]”, tha ai.
Avokatët e të pandehurve në mënyrë të vazhdueshme janë ankuar se dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur deri tani kanë qenë të parëndësishme e që nuk lidhen me të pandehurit.
“Ju lutem, në të ardhmen mos thërrisni dëshmitarë që nuk kanë lidhje me aktakuzën”, tha në gjykatë të martën Faruk Korenica, avokati i të pandehurit Nedeljko Spasojeviq.
Oliver Ivanoviq, në atë kohë kryetar i Partisë Liri, Demokraci, dhe Drejtësi, u qëllua me armë për vdekje më 16 janar, 2018, përballë zyrave të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Katër të pandehur në gjyq – Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara dhe Nedeljko Spasojeviq – akuzohen që janë pjesëtarë të një grupi të organizuar kriminal që vrau Ivanoviqin.
Dy policë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, janë gjithashtu në gjyq, të akuzuar për dëmtim të provave në këtë rast. Të gjithë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Zëvendëskryetari i partisë politike të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, Milan Radojiçiq, një biznesmen i fuqishëm në veri të Kosovës, dhe një tjetër biznesmen serb, Zvonko Veselinoviq, janë akuzuar se janë kryetarët e grupit të organizuar kriminal që vrau Ivanoviqin.
Radojiçiqi u arratis nga Kosova për të shmangur arrestimin. Ai dhe Veselinoviqi kanë mohuar përfshirjen.
Ivanoviqi dikur shihej si një nacionalist i rreptë por ishte kthyer në një politikan të moderuar që përkrahte bashkëjetesën mes pakicës serbe dhe shumicës shqiptare në Kosovë. Ai gjithashtu ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit.
Në kohën e vdekjes së tij, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së Kosovës në 1999. Ai ishte deklaruar i pafajshëm.
Gjyqi vazhdon në shkurt.
Katër vjet pas, vrasja e Oliver Ivanoviqit mbetet mister