Foto: REL
Supremja kthen në rigjykim rastin e ish inspektorëve të Prishtinës
Gjykata Supreme e Kosovës kthen në rigjykim lëndën penale ndaj ish inspektorëve të Komunës së Prishtinës vetëm për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Më kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së të dënuarave Ismet Haliti, Skender Canolli, Vehbi Abdullahu dhe Mërgim Shala, u anuluan aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit.
Ndërsa kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë për të dënuarin Qemajl Pozhegun u refuzua si e pabazuar.
Supremja gjeti se dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë është i paqartë dhe në kundërthënie me vetveten si dhe me arsyetimin e aktgjykimit të shkallës së dytë, e cila shkelje s’është evituar as nga shkalla e dytë.
Tutje Supremja ka gjetur se lartësia e dëmit e paraqitur nuk është konstatuar nga ndonjë ekspert financiar, por sipas vlerësimit që kanë bërë përfaqësuesit e komunës.
Po ashtu në arsyetimin e Supremes thuhet se gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit konkludon se të dënuarit me mosveprimet e tyre ju kanë mundësuar investitorëve përfitimin material duke mos dhënë arsye se si ka ardhur deri te ky përfitim material.
Gjykata Supreme udhëzon gjykatën e shkallës së parë që në rigjykim dhe rivendosje të konstatoj se cilat janë veprimet e të dënuarve konkrete, cili është statusi ligjor i objekteve të ndërtuara, cili është dëmi eventual nëpërmjet ekspertit financiar.
Gjykata e Prishtinës me 6 dhjetor 2020, shpalli fajtor dhe e dënoi Ismet Halitin për veprat penale keqpërdorim të detyrës zyarte dhe armëmbajtje pa leje me 2 vite burgim dhe 1 mijë euro dënim me gjobë.
Skender Canolli u dënua për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëbajtje pa leje u dënua me 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë.
Të akuzuarit Blerim Syla, Vehbi Abdullahu dhe Blerim Ibishi janë dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre do t’iu shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 12,000 euro.
Me 6 muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Arbenita Ajeti, Mergim Shala dhe Drita Rukiqi, me pëlqimin e të cilëve, ky dënim do tiu zëvendësohet në gjobë në shumën prej 10,000 euro.
Po ashtu me 6 muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Ardian Muhadri dhe Granit Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohet në gjobë në shumë prej 8,000 euro.
Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18,000 euro gjobë.
Gjykata e Apelit me datën 26 prill 2021, ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve të dënuarve Ismet haliti dhe Skender Canolli dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Ndërsa me aprovimin e ankesave të Blerim Sylës, Blerim Ibishi, Ardian Muhadari, Arbenita Ajeti,Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi me aprovimin e pjesshëm të mbrojtësve të të dënuarve Vehbi Abdullahu dhe Mentor Shala si dhe sipas detyrës zyrtare është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë edhe ndaj të pandehurit Blerim Syla.
Kujtojmë se në prill të vitit 2018 tashmë dhjetë ish-inspektorët e Komunës së Prishtinë ishin shpallur fajtorë nën akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ishin dënuar me rreth 20 vjet burgim. Disa prej tyre ishin dënuar edhe me gjobë.
Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti , Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ku të lartcekurit nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.
Prokuroria po ashtu pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.
Sipas aktit akuzues, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ka ndryshuar dokumentin origjinal publik, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në mënyrë që gjatë muajit shtator të vitit 2013, në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka dorëzuar lejen ndërtimore, lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e një objekti në Prishtinë, të cilës leje ia ka bashkangjitur skicën e ndryshuar të projektit kryesor, duke u paraqitur se kinse posedon leje ndërtimore për atë objekt.
Me këtë Prokuroria po akuzon se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit.