Dështon të mbahet rigjykimi ndaj ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës

Seanca ndaj ish-inspektorëve të akuzuar të Komunës së Prishtinës ka dështuar të mbahet sot. Në këtë proces gjyqësor Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi akuzohen se nuk i kanë parandaluar dhe ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme në Prishtinë.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Shashivar Hoti.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Beqir Kalludra deklaroi se: “Siç po e shihni, trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë, andaj kjo seancë e shqyrtimit të sotëm gjyqësor nuk do te mbahet. Arsyeja e mos përbërjes së plotë të trupit gjykues është fakti se gjyqtari Shashivar Hoti, qenka edhe anëtar trupit gjykues në një çështje tjetër penale në rastin ‘Stenta’, që gjykohet nga Departamenti Special i kësaj gjykate, aty është procedura në vazhdim, deri sa neve na mbetet që të bëjmë përpjekje që të gjejmë ndonjë anëtar, por të gjithë ishin të zënë, ashtu që gjykimi nuk mund të vazhdoj sot”, shtoi gjyqtari Kalludra

Ish-inspektorët e Prishtinës gjatë proceseve të mëparshme gjyqësore ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria poashtu pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Sipas aktit akuzues i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ka ndryshuar dokumentin origjinal publik, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në mënyrë që gjatë muajit shtator të vitit 2013, në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka dorëzuar lejen ndërtimore, lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit të Komunës së Prishtinës për ndërtimin e një objekti në Prishtinë, të cilës leje ia ka bashkangjitur skicën e ndryshuar të projektit kryesor, duke u paraqitur se kinse posedon leje ndërtimore për atë objekt.

Me këtë prokuroria po akuzon se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit.

Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Gjykata vendos për ish-inspektorët e Prishtinës

.