VIDEO: Dënohen ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës

Dhjetë ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u shpallën për të dytën herë fajtorë nga Gjykata e Prishtinës.

Ismet Haliti është dënuar me dënim me burgim 2 vite për keqpërdorim detyrës dhe me 1 mijë euro gjobë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Skender Canolli është dënuar me burgim 1 vit për veprën keqpërdorim i pozitës ndërsa për armëmbajte pa leje me 1 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit Blerim Syla, Vehbi Abdullahu dhe Blerim Ibishi janë dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre do t’iu shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 12,000 euro.

Me 6 muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Arbenita Ajeti, Mergim Shala dhe Drita Rukiqi, me pëlqimin e të cilëve, ky dënim do tiu zëvendësohet në gjobë në shumën prej 10,000 euro.

Po ashtu me 6 muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Ardian Muhadri dhe  Granit Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohet në gjobë në shumë prej 8,000 euro.

Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18,000 euro gjobë.

 

Po ashtu, të akuzuarit janë obliguar të paguajnë  edhe shpenzimet e procedurës penale si dhe shumën prej 300 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Kujtojmë se në prill të vitit 2018 tashmë dhjetë ish-inspektorët e Komunës së Prishtinë ishin shpallur fajtorë nën akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ishin dënuar me rreth 20 vjet burgim. Disa prej tyre ishin dënuar edhe me gjobë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti , Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ku të lartcekurit nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ka ndryshuar dokumentin origjinal publik, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në mënyrë që gjatë muajit shtator të vitit 2013, në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka dorëzuar lejen ndërtimore, lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e një objekti në Prishtinë, të cilës leje ia ka bashkangjitur skicën e ndryshuar të projektit kryesor, duke u paraqitur se kinse posedon leje ndërtimore për atë objekt.

Me këtë Prokuroria po akuzon se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit.